Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Vajzat kamerunase ëndërrojnë suksesin në “lojën e meshkujve”

Kur Gaelle Asheri filloi të luante futboll nëpër rrugët e përbaltura pranë shtëpisë së saj në Yaounde, kryeqyteti i Kamerunit, ajo ishte vajza e vetme në ekipet joformale të lagjeve. 

Fëmijët luanin futboll duke përdorur gurët për shtyllat e portave, derisa rezultatin e mbanin në mend duke e shkruar në mur pas çdo goli të shënuar. Asheri 17-vjeçare dhe bashkëlojtarja e saj, Ida Pouadjeu, 16-vjeçare, tani janë në mesin e valës së parë të vajzave që po stërviten nga trajnerë profesionist të futbollit në “Rails Foot Academy” - RFA. 

Në fakt, kjo është akademia e parë e futbollit të femrave në Kamerun, që bazën e ka në Yaounde. Është themeluar në janar të këtij viti, me synim për të nxitur talentin e futbollit te femrat në një vend ku shumë njerëz e shohin ende këtë sport si lojë të meshkujve, shkruan sot Koha Ditore.

Të dyja vajzat, si Asheri ashtu edhe Pouadjeu, fillimisht u përballën me kundërshtimin e fuqishëm të familjeve që ishin të shqetësuara dhe insistonin se femrat nuk duhet të luajnë futboll. Por as këto paragjykime nuk i penguan vajzat e reja që të ndjekin ëndrrën e tyre. 

“Unë e mora topin, fillova ta godisja dhe kurrë nuk kam shikuar prapa. Gjithmonë kam luajtur futboll nëpër rrugët e lagjes me kushërinjtë dhe fqinjët e tjerë, të gjithë meshkuj”, kujton Asheri. 

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)