FC Vaduzi nga Lihtenshtajni po shijon aventurën e tij më të madhe, duke garuar në fazën e grupeve të një gare evropiane – një “mrekulli” kjo për një klub nga një shtet shumë i vogël për të pasur ligën e tij të futbollit, shkruan AFP të mërkurën. Skuadra e vetme profesionale e vendit është në një pozicion të jashtëzakonshëm: Vaduzi merr pjesë në sistemin e ligës së Zvicrës fqinje, por mund të hyjë në garat e Evropës vetëm nëpërmjet kupës së brendshme të Lihtenshtajnit.
“Ne jemi me të vërtetë në një situatë të veçantë”, tha presidenti i klubit, Patrick Burgmeier.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoKa klube të njohura të mëdha futbolli në Evropë që garojnë në ligat e vendeve fqinje, si Cardiffi apo Monaco. Megjithatë, ndryshe prej tyre, Vaduzi që bën gara në kategorinë e dytë të Zvicrës nuk mund të hyjë në garat e kupës së këtij vendi. Dhe, nëse ndonjëherë Vaduzi kryeson në Superligën e Zvicrës, ai nuk mund të kurorëzohet me titullin e kampionit ose nuk mund të kualifikohet për pjesëmarrje në Ligën e Kampionëve. Principata e Lihtenshtajnit, me një popullsi prej 39.000 banorësh, është e lidhur mes Zvicrës dhe Austrisë. 160 kilometra katrorë të Lihtenshtajnit përbëjnë një copë toke të sheshtë pranë lumit Rhine dhe maleve të larta të Alpeve. Ekzistojnë vetëm shtatë klube futbolli në mikroshtetin e pasur gjermanfolës. I themeluar në vitin 1932, Vaduzi është në Challenge League, divizioni i dytë zviceran, me klubet e tjera që garojnë në nivelet katër deri në shtatë në piramidën zvicerane. Fituesit serialë të Kupës së Lihtenshtajnit - 48 trofe të kupës vendase përbëjnë një rekord botëror - Vaduzi luajti për herë të parë në garat evropiane në vitin 1992. Megjithatë, as ata dhe as ndonjë klub tjetër i Lihtenshtajnit nuk ka arritur ndonjëherë përtej rundeve kualifikuese të garave evropiane - deri më tani. Lansimi i Ligës së Konferencës nga UEFA sezonin e kaluar, një nivel i tretë i futbollit evropian nën Ligën e Kampionëve dhe Ligën e Evropës, ua dha shumë klubeve mundësinë për të luajtur në skenën kontinentale. Në rundet kualifikuese të këtij viti, Vaduzi mundi fituesin e kupës sllovene, Koperin, pastaj edhe Konyasporin e Turqisë. Vaduzi më pas mundi Rapid Vjenën me rezultat të përgjithshëm 2:1 për të siguruar një vend në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës.
“Pjesëmarrja në gazën e grupeve të kësaj gare është më e madhe se gjithçka që kemi arritur më parë. Është e pabesueshme ajo që kemi bërë. Nuk kishim asgjë për të humbur dhe ekipi besonte në atë mrekulli”, tha Burgmeier. “Fitoret nuk u vodhën - ne ishim më të mirë se Rapid Vjena!”.
Në Ligën e Konferencës, Vaduzi ra në Grupin E kundër AZ Alkmaarit të Holandës, liderët e ligës ukrainase Dnipro-1 dhe kampionit të Qipros, Apollon Limassol. Vaduzi ka barazuar dy dhe ka humbur dy nga ndeshjet e tij në grup deri më tani dhe duhet të triumfojë në shtëpi ndaj AZ Alkmaarit të enjten për t’i ruajtur shpresat për të përparuar në këtë garë.
“Ne po përpiqemi vërtet t’i shijojmë dy ndeshjet e fundit, ndjenjën dhe atmosferën”, tha Burgmeier, 42 vjeç, një ish-mbrojtës i Lihtenshtajnit.
Stadiumi i klubit “Rheinpark” me 5,900 ulëse, ndodhet pranë lumit Rhine dhe rrjedhimisht kufirit zviceran, me Kalanë Vaduz të Princit të Lihtenshtajnit dhe Alpet që ofrojnë një sfond mahnitës. FC Vaduzi aktualisht tërheq rreth 1,400 spektatorë - nga gati 4,000 kur ishte në Superligë. Vaduzi ka kaluar pesë sezone në nivelin më të lartë të Zvicrës. Por ambiciet e tij janë modeste: me një buxhet prej rreth pesë milionë franga zvicerane, qëllimi i Vaduz është të jetë një klub i fokusuar në komunitet që gjendet në mesin e tabelës të Challenge Leagues.
“Ne na pëlqen të shkojmë me vizione realiste më shumë sesa ëndrra”, tha Burgmeier. “Nuk është realiste të kesh gjithmonë synimin për t’u promovuar në Superligë: ka shumë skuadra më të mëdha”.
Vaduzi dëshiron të zgjerojë bazën e tij të tifozëve duke krijuar një lidhje më të thellë me njerëzit në Lihtenshtajn dhe përtej kufirit.
“Është e rëndësishme për ne që të qëndrojmë në një bazë të shëndetshme”, tha presidenti i klubit.
“Ne me të vërtetë duam të jemi një platformë e mirë për lojtarët e rinj dhe pika fikse e futbollit profesionist në rajon, duke zhvilluar edhe lojtarë nga Lihtenshtajni dhe Zvicra”.
Pavarësisht rezultatit të së enjtes, Vaduzi po e shijon rrugëtimin këtë edicion në Ligën e Konferencës. “Ky vit ka qenë i jashtëzakonshëm”, tha Burgmeier.