Futbollistët e Përfaqësueses së Shqipërisë, sulmuesi Myrto Uzuni dhe mesfushori Keidi Bare kanë pranuar se në dy ndeshjet e këtij muaji për kualifikimet e Kampionatit Botëror “Katari 2022” duan gjashtë pikë.
Shqipëria të shtunën luan në udhëtim kundër Hungarisë ndërsa tri ditë më vonë e pret në shtëpi Përfaqësuesen e Polonisë, ndeshje këto që do të luhen në kuadër të Grupit I kualifikues.
Aktualisht Shqipëria është e dyta në grup me 12 pikë pas gjashtë ndeshjeve të luajtura, duke lënë pas vetes Poloninë (11) dhe Hungarinë (10).
Grupit i prin Anglia me 16 pikë. Sulmuesi Uzuni u fokusua te ndeshja e parë me Hungarinë, ekip që thotë se e njeh mjaft mirë për shkak se luan në kampionatin hungarez me skuadrën e Ferencvaroshit.
Ai këtë edicion ka shënuar 13 gola dhe ka bërë shtatë asistime në 18 paraqitje për Ferencvaroshin në të gjitha garat. Duelin me Hungarinë, kundërshtar që Shqipëria e mposhti muajin e shkuar 1:0 në Elbasan, e ka vlerësuar si të vështirë.
Mirëpo ka insistuar se te Shqipëria janë maksimalisht të motivuar për këtë ndeshje dhe se në stadiumin “Pushkash Arena” në Budapest do të luajnë për fitore.
“Normalisht që unë dua të luaj në çdo ndeshje, sepse gjithmonë e jap maksimumin, por mund të them se Hungarinë e njoh shumë mirë. Do të ishte një ndjenjë tjetër për mua, pasi jetoj dhe stërvitem aty me lojtarë që do të luajnë kundër Shqipërisë. Natyrisht atmosfera në ekip është e mirë dhe synimi ynë është të arrihet fitorja që edhe është objektiv”, ka thënë Uzuni. “Mendoj se nuk është avantazh për ne që do të luajmë pa tifozë, sepse Hungaria pa tifozë ka pasur rezultate pozitive, kurse me tifozë kishte rezultate negative. Kështu që, në lojë janë të tri rezultatet”.
Uzuni ka insistuar se Shqipëria nuk do të angazhohet maksimalisht vetëm ndaj Hungarisë, por edhe Polonisë, ekip prej të cilit pësoi muajin e shkuar në udhëtim me rezultatin e thellë 4:1. Madje, ka thënë se ai pret gjashtë pikë prej këtyre dy ndeshjeve.
“Trajneri ka llogaritë e tij, por në mentalitetin tim unë nuk hyj për barazim në fushë. Gjithmonë luaj për fitore dhe do të bëj të pamundurën për të marrë pikët e plota nga këto duele”, shtoi ai.
Sikurse Uzuni, edhe mesfushori Bare që luan në La Liga me Espanyolin, është shprehur optimist para dy ndeshjeve të këtij muaji. Ai ka thënë se Shqipëria ka synim për ta ruajtur pozitën e dytë në tabelë, në mënyrë që të sigurojë plejofin dhe për këtë arsye e ka detyrim t’i marrë pikët e plota, si me Hungarinë ashtu edhe Poloninë.
“Ekipi po luan mirë dhe shpresoj që kështu të vazhdojmë edhe në dy ndeshjet që na presin. Pikësynimi ynë është të arrijmë vendin e dytë dhe pse jo të mos shkojmë në Botëror. Besoj se do t’ia arrijmë qëllimit, pavarësisht se janë ndeshje shumë të vështira”, është shprehur Bare. “Nuk dua të them se sa pikë parashikoj, por dua të them që do të futemi në këto ndeshje për të fituar dhe për të arritur qëllimet tona”.
Përfaqësuesja e Shqipërisë për këto dy ndeshje nuk do të mund të llogarisë në Amir Abrashin e Qazim Laçin të lënduar, si dhe mbrojtësin Erjon Hoxhallari, që tashmë është larguar nga grumbullimi për shkak të infektimit me koronavirus.