Sport

Unitedi mbështetet në mentalitetin fitues të Casemiros për finalen ndaj Cityt

Disa shqetësime u ngritën kur mesfushori brazilian Casemiro kompletoi lëvizjen e tij për te Manchester Unitedi, në gusht të vitit të shkuar. A do të kishte ai ende motivim të mjaftueshëm pas nëntë vjetëve të mbushur me trofe në Real Madrid? A mund të përshtatej mjaft shpejt me lojën angleze? A ishte me të vërtetë një mesfushor mbrojtës 30-vjeçar me vlerë 60 milionë dollarë dhe pagë javore prej 435 mijë dollarësh?

Përgjigjet, pa dyshim, kanë qenë po dhe absolutisht po.

Nëse largojmë Erling Haalandin, transferimi që pati ndikimin më të madh në futbollin anglez këtë edicion është me siguri Casemiro. Braziliani, sipas fjalëve të trajnerit të tij, i ka tejkaluar të gjitha pritshmëritë.

“Ai vazhdon të më befasojë”, tha trajneri i Unitedit, Erik ten Hag. “Ai është një futbollist kaq i shkëlqyer”.

Nëse ka një lojtar që Ten Hagu do të dëshironte ta kishte në dispozicion për finalen e Kupës FA kundër Manchester Cityt, të shtunën, pa dyshim që ai është Casemiro.

Ndryshimi me dhe pa të është i madh në ekipin e Manchester Unitedit. Casemiro ishte titullar në 24 nga 38 ndeshjet e Unitedit në ligë këtë edicion dhe ishte zëvendësues në katër të tjera. Sipas statistikave, Unitedi pësoi mesatarisht më pak se një gol në ndeshje, kur Casemiro ishte në ekip dhe mesatarisht 1.5 gola kur ai nuk ishte.

Ai bëri mesatarisht 3.2 goditje në portë për ndeshje në Premier League. Ishte i treti me më së shumti goditje prej mesfushorëve, pas Joao Palhinhas të Fulhamit dhe Tyler Adamsit të Leeds Unitedit. Manchester Unitedi pësoi 57 gola në ligë edicionin e kaluar. Me Casemiron të vendosur para mbrojtjes, ky numër ra në 43 këtë edicion. Dhe Unitedi siguroi kthimin në Ligën e Kampionëve për edicionin e ardhshëm.

Pra, Casemiro me të vërtetë ia vlente të transferohej. Ten Hag vuri në dukje kur mbërriti tek Unitedi në fund të edicionit të kaluar se një lider në pjesën qendrore të mesfushës ishte mungesa më e madhe e skuadrës që në pozitë të tillë kishte përdorur lojtarët si Scott McTominay dhe Fred.

“Ne e studiuam këtë dhe kërkuam. Nuk ishte e lehtë, sepse nuk ka shumë profile që përshtaten me standardin e Manchester Unitedit”, tha Ten Hag. “Ne e njohim si shumë të mirë me organizimin, pritjet, fitimin e dueleve, luftimin dhe mbajtjen e ekipit të bashkuar. Por edhe posedimi, shpërndarja dhe përfundimi i aksioneve janë shumë të rëndësishme”.

Mentaliteti fitues i Casemiros, i krijuar në Real Madrid ku fitoi pesë trofe të Ligës së Kampionëve dhe tri herë ligën spanjolle , është diçka që Unitedit i kishte munguar në epokën pas Alex Fergusonit. Unitedi e ka këtë tani dhe kjo është kryesisht për shkak të ardhjes së Casemiros dhe një tjetër ish-lojtari të Real Madridit, Raphael Varane.

“Presioni është diçka me të cilën jemi mësuar të luajmë. Dhe ne kemi nevojë për presion”, tha Varane.

“Ndonjëherë cilësia nuk mjafton. Ju duhen motivimi, karakteri, pasioni në fushë. Sepse në nivelin më të lartë në Premier League ka lojtarë të mirë në çdo ekip. Por për të luajtur në këto lloj klubesh ju duhet diçka tjetër, diçka ndryshe, karakteri për të luftuar, për të marrë përgjegjësinë, për të mos u fshehur kurrë në fushë, për të qenë gati për të përballuar çdo sfidë që mundeni”.

Ky është mentaliteti që City ka ndërtuar me Pep Guardiolën. Pas shtatë vjetësh në krye, Guardiola ka një skuadër në prag të fitimit të tripletës: Premier Leagues, Kupa FA, Liga e Kampionëve.

Është ky një sukses që është arritur vetëm një herë deri më tani në futbollin anglez dhe atë nga Manchester Unitedi në vitin 1999.

Casemiro është një nga lojtarët e paktë në ekipin aktual të Unitedit, që mund të futet në formacionin e Cityt. Casemiro u rrit tek Unitedi duke shënuar golin e epërsisë në fitoren 2:0 ndaj Newcastlet në finalen e Kupës së Ligës angleze në “Wembley Stadium” në muajin shkurt. Dhe ai ka qenë kyç në pjesën e fundit të edicionit për të ndihmuar Unitedin të kualifikohet në Champions me përfundim në vendin e tretë në ligë, veçanërisht me golin e fitores që e shënoi në mënyrë akrobatike ndaj Bournemouthit.

Dy kartonë të kuq – një për kapjen e një kundërshtari për qafe në një përleshje në fushë kundër Crystal Palacet dhe tjetri për një ndërhyrje të pamatur – e kanë goditur paksa kampanjën e tij dhe kanë bërë që të humbasë shtatë ndeshje në total për shkak të pezullimit. Ai u largua i përlotur nga fusha pas përjashtimit të dytë dhe u mbrojt nga Ten Hag, i cili preferoi të kritikonte standardin e arbitrimit më shumë sesa mosdisiplinën e Casemiros.

Janë detyrat mbrojtëse të Casemiros ato që do të jenë më të rëndësishmet kundër Cityt të shtunën prej orës 16:00. Atij do t'i duhet të mbajë mesfushorët sulmues Ilkay Guendogan dhe Kevin De Bruyne, duke luajtur gjithashtu rol në ndalimin e linjës së furnizimit me topa për Haalandin. Shokët e skuadrës së Casemiros janë të sigurt se braziliani me sukses do ta kryejë këtë detyrë.

“Ai mund të kontrollojë një lojë të shkëlqyer për ne, me ose pa top”, tha mbrojtësi Victor Lindelof.