Shahu dallon shumë nga disiplinat e tjera sportive. Dallon edhe mënyra e përfaqësimit të Kosovës në Federatën Ndërkombëtare të Shahut (FIDE). Mund të duket e pabesueshme, por në FIDE, Kosova ende prezantohet me fusnotë.
Deri vonë, Kosova ishte me fusnotë edhe në Unionin Evropian të Shahut (ECU). Kjo megjithatë ka ndërruar ditë më parë. ECU ka njoftuar të hënën që në Kongresin e mbajtur në Budvë të Malit të Zi është votuar kërkesa e Federatës së Shahut të Kosovës për heqje të fusnotës. Kongresi është mbajtur prej 17 deri më 19 nëntor, ndërsa ECU ka njoftuar vetëm të hënën për vendimet që u morën.
“Federata e Shahut e Kosovës ka kërkuar që fusnota të largohet nga emri i Kosovës në të gjitha dokumentet e ECU-së, turnetë dhe mediat. Pas një diskutimi, votimi i fshehtë ka pasuar”, ka njoftuar Unioni Evropian i Shahut.
Në votim morën pjesë 39 federata evropiane.
“27 federata votuan për ta hequr fusnotën. 10 federata votuan kundër heqjes së fusnotës. Dy vota ishin të pavlefshme”, ka njoftuar Unioni Evropian i Shahut, pa cekur që fusnota është hequr.
Megjithatë tek emri i Kosovës në sajtin zyrtar të ECU-së nuk ka fusnotë.
Por fusnota, dikur shumë e diskutueshme, është pranë emrit të Kosovës në sajtin zyrtar të FIDE-s, si në asnjë federatë tjetër sportive ndërkombëtare.
“Gjithë referencat për Kosovën, qoftë për territorin, institucionet apo popullsinë, në këtë tekst duhet të kuptohen në përputhje të plotë me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe pa prejudikuar statusin e Kosovës”, shkruan në shpjegimin që FIDE e ka bërë për fusnotën pranë emrit të Kosovës.
Në Federatën e Shahut të Kosovës shpresojnë që fusnota të largohet edhe nga FIDE së shpejti. Bekim Ermeni, delegat i Federatës së Shahut të Kosovës në FIDE dhe ECU ka treguar se më 17 dhjetor është Kuvendi Vjetor i FIDE-s, ku do të shqyrtohet kërkesa e Kosovës për heqje të fusnotës nga kjo organizatë.
“Ne kërkesën e kemi bërë dhe pas vendimit të ECU-së, heqja e fusnotës në FIDE është më shumë çështje procedurale. Por problemi i vetëm është që Kuvendi i 17 dhjetorit është ‘online’. Për të hequr fusnotën duhet votim, ndërsa FIDE nuk preferon votimin ‘online’. Për këtë ka gjasë që vendimi të shtyhet për Asamblenë e parë që do të mbahet me prani fizike, pra për vitin tjetër”, ka thënë Ermeni për KOHËN.
Ai ka treguar që ka pasur kundërshtim nga serbët në Kongresin e Unionit Evropian të Shahut për heqje të fusnotës.
“Si zakonisht serbët kanë reaguar, ndërsa janë thirrur në rezolutën 1244, ndërsa kanë thënë se heqja e fusnotës do të ishte shkelje flagrante. Natyrisht ne kemi paraqitur argumentet tona, ndërsa përkrahje kishim nga përfaqësuesi i Irlandës. U vendos që votimi të jetë i fshehtë dhe i jemi frikësuar pak kësaj mënyre të votimit. Por kaluam mirë. Fusnota u hoq”, ka shtuar Ermeni. Ai ka treguar se një ditë pas Kuvendit e kanë kontaktuar nga ECU dhe kanë konfirmuar vendimin për heqje të fusnotës.
“Vullneti është që fusnota të hiqet edhe nga FIDE. Mund të ketë vendim më 17 dhjetor, por mund të shtyhet për arsye procedurale”.
Shahu nuk ka ndonjë prezantim të madh nëpër media, kështu që fusnota te emri i Kosovës nuk është se ka bërë ndonjë bujë. Kosova është pranuar në FIDE që në vitin 2016. Por fusnota nuk i është larguar ende.