Sport

Ukraina kryeson me tri medalje të arta në ditën e parë të Lojërave Paralimpike

Ukraina ka dalë në krye të tabelës së medaljeve me tri të arta në ditën e parë të Lojërave Paralimpike në Pekin.

Grygorii Vovchynsky në biathlon triumfoi në garën e sprintit të meshkujve, dhe ia fitoi Ukrainës medaljen e parë të artë në këto Lojëra.

Oksana Shyshkova më pas e fitoi sprintin me shikim të dobësuar në konkurrencën e femrave, para se Vitaliy Lukianenko, ta fitonte atë garë në konkurrencën e meshkujve. Në fakt, Lukianenko fitoi të artën, ndërsa vendi i dytë dhe i tretë u zu nga garuesit ukrainas po ashtu.

Sportistët ukrainas kanë marrë shtatë medalje në total në ditën hapëse.

Janë 20 sportistë ukrainas dhe nëntë udhëheqës në Pekin.

Delegacioni udhëtoi në Kinë pavarësisht pushtimit të shtetit të tyre nga Rusia, që nisi më 24 shkurt.

“Ishte shumë e vështirë për mua kur filloi lufta. Kam qarë çdo ditë”, ka thënë Vovchynskyi.

“Nuk e kuptoja çfarë ndodhi. Çfarë mund të bëj? Mund t’ia dedikoj këtë garë Ukrainës, për paqe, për njerëzit në Ukrainë. Ju lutem, ndaleni luftën, është shumë e rëndësishme për fëmijët tanë”, u shpreh ai.

Vovchynskyi, i cili e fitoi medaljen e artë në ngjarjen e distancave të gjata në Sochi në vitin 2014, mposhti gjermanin Marco Maier me 45.8 sekonda, dhe e fitoi të artën edhe në Pekin.

“Mendoja para garës se duhet të provoj të bëj gjithçka për Ukrainën. Duhet të mendoj për luftën, për shtetin tim, për njerëzit e mi, për presidentin tim. E dua Ukrainën. E dua sportin, por sot unë vrapova, sepse dua jetë në Ukrainë dhe dua të shkoj para”, tha ai.

Shyshkova ishte më e suksesshme se gjermania, Linn Kazmaier, ndërsa ia dhuroi Ukrainës medaljen e dytë të artë.

Lukianenko e shtoi medaljen e tretë të artë në ngjarjen e sprintit me shikim të dobësuar, ndërsa bashkëkombësit e tij, Oleksandr Kazik dhe Dmytro Suiarko, morën medalje të argjendtë dhe të bronztë respektivisht.

Me medalje të argjendta u stolisën edhe Liudmyla Liashenko dhe Taras Rad.

Liashenko 28-vjeçare, e fitoi medaljen e pestë në Lojëra në sprintin e konkurrencës së femrave, aty ku kinezja Guo Yujie 17-vjeçare, doli triumfuese në garë.

Ishte medalja e dytë Paralimpike për Radin 23-vjeçar, pas të artës të cilën e mori në distanca të mesme në Pyeongchang. Ai përfundoi me 17.5 sekonda prapa kinezit Liu Zixu, në garën e sprintit në karrocë.

Para Lojërave, Valeriy Sushkevych, presidenti i Komitetit Paralimpik të Ukrainës, tha se paraqitja e ekipit të tij në këto Lojëra ishte “simbol se Ukraina është gjallë” dhe se ishte “mrekulli” që ata arritën në garë.

Ata ishin të pritur ngrohtësisht në stadiumin “Foleja e Zogut” të premten në ceremoninë hapëse.

Paralimpik i Rusisë dhe i Bjellorusisë janë dënuar dhe nuk janë pjesëmarrës në këto gara.