Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Mediumet maqedonase raportojnë për shtyrjen e mundshme të ndeshjes Maqedoni e Veriut - Kosovë

Foto: Reuters

Konfederata e Futbollit të Evropës (UEFA) është duke shqyrtuar mundësinë e shtyrjes së gjitha ndeshjeve të përfaqësueseve deri në muajin prill, përfshirë këtu edhe ndeshjen e plejofit për Evropianin 2020 mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, shkruan “Ekipa.mk” të martën, transmeton Koha.net.

Ende nuk ka ndonjë vendim zyrtar, por mediumet evropiane raportojnë se UEFA është afër të marrë një vendim të tillë.

Por, edhe nëse nuk ka shtyrje të ndeshjeve, është gati e sigurt se gjitha ndeshjet, përfshirë edhe ajo në Shkup, do të luhen pa shikues.

Federata e Futbollit të Maqedonisë së Veriut ka insistuar se situata është duke u monitoruar në koordinim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe të gjitha masat e marra nga qeveria duhen respektuar. Po ashtu do të ketë konsultime edhe me UEFA-në.

Deri më tash janë regjistruar shtatë raste me koronavirus në Maqedoni të Veriut.

“Ne kemi pasur konsultime për këtë çështje në Amsterdam gjatë Kongresit të UEFA-s. Mund të them se si federatë ne duhet të respektojmë rekomandimet e qeverisë dhe sigurisht ndeshjet e ligës në futboll deri më 13 mars do të luhen pa shikues. Deri më tash ndeshja mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës nuk është në rrezik, sa i përket datës e po ashtu zhvillimit të ndeshjes me shikues. Por, mundësia për t’u luajtur pa shikues nuk mund të përjashtohet. Mirëpo, çdo gjë varet nga vendimi i Ministrisë së Shëndetësisë. Nëse merret një vendim i tillë, ne do të njoftojmë UEFA-në. UEFA është duke monitoruar situatën në gjitha vendet”, ka thënë zëdhënësi i Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut, Zlatko Andonovski.

Biletat për ndeshjen mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës janë shitur tashmë.

“Ne po ashtu kemi diskutuar këtë çështje me institucionet kompetente dhe nëse merret vendim për të luajtur pa shikues, atëherë gjitha ata që kanë blerë bileta do të kompensohen pa problem”, ka thënë Andonovski.