Sport

UEFA nis hetimet ndaj PSG-së

Paris St. Germain nuk i mjafton “maskimi” i operacionit në afatin kalimtar që solli në kryeqytetin francez Mbappen nga Principata e Monakos në formë huazimi me të drejtë blerjeje.

UEFA ka nisur tashmë hetimet formale në lidhje me dyshimet për shkeljen e mundshme të rregullit të “Fair Playit” financiar.

“Hetimi do të përqendrohet mbi pajtueshmërinë e barazimit të bilancit, veçanërisht pas transferimeve të fundit në këtë afat kalimtar”, thuhet në komunikatën e UEFA-s.

Një epilog i paevitueshëm ky për ekipin nga “Parc des Princes”, e madje i nevojshëm pas transferimeve të frikshme të bërë nga Parisi, që bleu Neymarin nga Barcelona për shumën prej 222 milionë eurosh, ndërsa në ditën e fundit kompletoi edhe huazimin e Mbappes nga Monaco, për të paguar vitin e ardhshëm plot 180 milionë euro, transmeton tch.

“Muajt e ardhshëm, Komiteti i Inspektimit financiar të klubeve të UEFA-s do të mblidhet si rregullisht për të vlerësuar me kujdes të gjithë dokumentacionin përkatës mbi këtë rast. UEFA i qëndron besimit se, rregulli i ‘Fair Play-t’ financiar është një sistem fundamental për të siguruar qëndrueshmërinë financiare të futbollit europian”, përfundon komunikata e publikuar nga UEFA.