Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

UEFA lejon pesë zëvendësime edhe në Evropianin 2020

Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s ka konfirmuar të mërkurën se ekipet do të lejohen t’i bëjnë pesë zëvendësime në “Euro 2020” dhe në finalet e Ligës së Kombeve të këtij viti, si dhe në “plejout”.

UEFA ka thënë se “rregulli i pesë zëvendësimeve mbetet në fuqi për shkak të kalendarit të ngjeshur të ndeshjeve ekipore e shtetërore në të cilat pati ndikim pandemia Covid-19. Ky rregull është në fuqi edhe për kualifikimet e Kupës së Botës nga marsi 2021 deri në marsin e vitit tjetër. Kështu, është vendosur që i njëjti rregull të jetë në fuqi edhe për UEFA Euro 2020 në qershor dhe korrik këtij viti, në finalet e Ligës së Kombeve në tetor të vitit 2021, dhe në “plejoutin” e Ligës së Kombeve që luhet në mars të vitit 2022”.

Të mërkurën, UEFA ka përmendur edhe numrin e tifozëve të cilët mund të hyjnë në fushë për t’i përcjellë ndeshjet nga afër.

Është diskutuar që 30% e kapacitetit të stadiumit të lejohet për tifozë, në rast se ndryshim situata me pandeminë e koronavirusit.

“Vendimi për lejimin e tifozëve duhet të jetë nën përgjegjësinë ekskluzive të autoriteteve lokale dhe shtetërore”, thuhet në njoftimin e UEFA-s.

Artikuj të ngjashëm