Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

UEFA fut Mourinhon në procedurë disiplinore

UEFA ka hapur zyrtarisht procedurat disiplinore ndaj trajnerit të Romës, Jose Mourinho, për fyerjet ndaj gjyqtarit Anthony Taylor pas humbjes në finalen e Ligës së Evropës ndaj Sevillas.

Një deklaratë nga komiteti disiplinor i UEFA-s, të premten përshkroi një sërë akuzash kundër të dy klubeve pas një finaleje të zjarrtë në “Puskas Arena” në Budapest.

Të dy klubet u akuzuan për hedhjen e objekteve dhe ndezjen e fishekzjarreve nga tifozët e tyre, duke shtuar këtu edhe sjelljet e pahijshme të ekipeve.

Për më tepër, Sevilla u akuzua gjithashtu për pushtim të fushës së lojës, ndërsa Roma u akuzua për akte dëmtimi dhe shqetësime të turmës.

Konkretisht, vetëm Mourinho u akuzua për “gjuhë fyese ndaj një zyrtari të ndeshjes”. Ai u kap nga kamera duke fyer gjyqtarin Taylor në parkingun e veturave pas ndeshjes.