Federata Shqiptare e Futbollit duhet t`i paguajë UEFA-s një gjobë të majme prej 100.000 euro, për shkak të një gafe të qeverisë shqiptare të futbollit.
Dy sezone më parë, FSHF-ja licencoi Tiranën për të marrë pjesë në Kupat e Evropës, duke fshehur borxhet që kishte skuadra nga kryeqyteti shqiptar.
Mirëpo sipas rregullave të UEFA-s, asnjë klubi nuk i lejohet të marrë pjesë në garat që organizohen nga UEFA, nëse këto klube kanë detyrime të pashlyera, transmeton Telesport.
Pas një hetimi të UEFA-s, rezultoi se Tirana kishte borxhe gjatë kohës që kishte marrë licencën nga FSHF-ja për të luajtur në UEFA Europa League, si fituese e Kupës së Shqipërisë dy sezone më parë. Për këtë arsye, me një vendim të mëhershëm, UEFA nuk derdhi në arkat e Tiranës shumën financiare që klubi përfitonte nga pjesëmarrja në Ligën e Evropës.