Kampioni në fuqi i Anglisë, Manchester City, e fitoi gjysmëfinalen e parë të Championsit kundër Real Madridit, të martën mbrëma, në një ndeshje që ofroi spektakël të vërtetë. City triumfoi me rezultatin e ngushtë 4:3 dhe gjithçka mbetet e hapur për ndeshjen e kthimit, që zhvillohet javën e ardhshme në stadiumin “Santiago Bernabeu” në Madrid. Në këtë duel titanësh dolën në pah tri gjëra në “Etihad Stadium”, shkruan AFP.
Reagimet emocionale të Guardiolas
Duke goditur ajrin si në ekstazë, ashtu edhe në agoni, në periudha të ndryshme gjatë ndeshjes mahnitëse, trajneri i Manchester City, Pep Guardiola, pati reagime emocionale pranë vijës anësore. Për një trajner kaq të kompletuar, Guardiola ka kaluar një kohë frustruese në Ligën e Kampionëve gjatë dekadës së fundit. Spanjolli nuk e ka fituar Championsin që nga viti 2011, kur Barcelona e ngriti trofeun për herë të dytë nën mbretërimin e tij. Rekordi i tij është i mbushur me humbje të dhimbshme dhe të papritura gjatë mbretërimit të tij te Manchester City dhe Bayerni. Guardiola e udhëhoqi Cityn në finalen e parë të Ligës së Kampionëve sezonin e kaluar, por ekipi i tij pësoi humbje 1:0 kundër Chelseat. Sado që të protestojë, Guardiola do të donte shumë t'ua mbyllte gojën kritikëve që i kujtojnë dështimet e tij evropiane dhe se ambicia u zbulua në reagimet e tij të tërbuara ndaj kthesave kundër Realit. Guardiola shtrëngoi grushtet dhe buzëqeshi pasi Kevin De Bruyne dhe Gabriel Jesus shënuan golat e hershëm për t’i dhënë Cityt avantazhin 2:0 pas vetëm 11 minutave lojë. Por Guardiola pa më të keqen dhe më të mirën e skuadrës së tij shkëlqyese, me një mori rastesh të humbura dhe herë pas herë një mbrojtje të rrëshqitshme që e lejoi Realin të kthehej dhe të mbajë shpresat gjallë për kualifikim në finale. Kur Riyad Mahrez qëlloi në rrjetën anësore në vend që të pasonte te Phil Fodeni, i cili me lehtësi do të shënonte golin e tretë për Cityn, Guardiola u ndez nga inati, duke kërcyer nga pankina dhe duke bërë veprime me duar në shenjë frustrimi. Shthurja e Cityt vazhdoi në pjesën e dytë, me Mahrezin dhe Fodenin fajtorë për gabimet që e lanë Guardiolan të mbante kokën me mosbesim. Mbetet të shihet nëse Guardiola do të jetë kaq emocional në reagimet e tij në duelin e kthimit që luhet më 4 maj në Madrid.
Reali refuzon të dorëzohet
I tronditur nga fillimi i vrullshëm i Cityt, Reali sfidoi sërish pritshmëritë për t’u rikthyer fuqishëm në lojë. Reali kishte bërë kthime të tilla të paharrueshme në 1/8 e finales kundër Paris Saint-Germainit dhe çerekfinale ndaj Chelseat, kur dukej se po shkonte drejt eliminimit. Ishte instinkti grabitqar i sulmuesit Karim Benzema që shënoi gol në minutën e 33-të për ta kthyer Realin edhe një herë në lojë. Nëse Benzema, një lojtar që e ka fituar katër herë Ligën e Kampionëve, është figura e gardës së vjetër të Realit, atëherë Vinicius Junior përfaqëson një të ardhme të ndritur dhe këtë e konfirmoi me golin fantastik që e shënoi vetëm pak çaste pasi ekipi i tij kishte pranuar golin e tretë. 21-vjeçari e turpëroi Fernandinhon përpara se të bënte një vrapim të shpejtë për ta mposhtur Edersonin. E pabesueshme, as goli i katërt i Cityt nuk ishte i mjaftueshëm për të mposhtur Realin pasi Benzema goditi me një penallti madhështore “Panenka” në minutën e 82-të për të lënë gjithçka të hapur. 34-vjeçari tani është golashënuesi më i mirë i këtij sezoni në Champions League me 14 gola.
Edhe
Guardiola nuk ka shpjegim për dështimin e radhës
De Bruyne ishte brilant
Pep Guardiola beson se Kevin De Bruyne po luan më mirë se kurrë dhe mesfushori i Cityt nuk zhgënjeu kur aksionet niseshin prej tij. 30-vjeçari në fillim të sezonit ishte i lënduar dhe kishte probleme fizike. Mirëpo, belgu është kthyer në formën e tij më të mirë në javët e fundit, teksa City përpiqet të mbajë epërsinë prej një pike ndaj Liverpoolit në Premier League dhe po synon të fitojë Championsin për herë të parë. Lojtarët më të mirë rezultojnë në skenat më të mëdha dhe ishte De Bruyne ai që vendosi tonin, teksa City shpërtheu ndaj Realit. Ai bëri një vrapim në kohë të përsosur për golin e tij me kokë pas vetëm 93 sekondash, më pas asistoi për Gabriel Jesusin që shënoi golin e dytë në ndeshje. De Bruyne ishte në zemër të të gjitha momenteve më të mira të Cityt dhe lehtësisht e tejkaloi lojtarin e Realit, Luka Modriqin, në betejën e tyre në mesfushë.