Vinicius Jinior i kishte zgjatur duart, duke kërkuar udhëzime nga trajneri i tij.
Carlo Ancelotti – duart mbi ijët – nuk dinte çfarë të thoshte. Kishin kaluar vetëm 23 minuta lojë dhe eal Madridi po mposhtej dhe po poshtërohej nga Manchester City në gjysmëfinalen e dytë të Ligës së Kampionëve - një garë që klubi spanjoll pothuajse e ka bërë të veten. Dhe tashmë Vinicius, një nga lojtarët më të mirë në botë, dhe Ancelotti, trajneri më i dekoruar në garat e Evropës, ishin të pafuqishëm. Kjo ishte vetëm një dëshmi për fuqinë e Cityt në një natë kur Pep Guardiola dhe lojtarët e tij krijuan një kryevepër që gati shtatë vjet ishte në përgatitje.
“Ne ndihemi të pandalshëm”, tha mesfushori i Cityt, Jack Grealish, pas fitores 4:0 të ekipit të tij, i cili siguroi një vend në finalen e Championsit kundër Interit në Stamboll më 10 qershor.
E se City është i pandalshëm, do të garantonte edhe Real Madridi. City e ka çuar futbollin në lartësi të reja gjatë muajve të fundit dhe paraqitja kundër Realit ishte kulmi. Sidomos në pjesën e parë ishte afër perfeksionit. Real Madridi kishte vetëm 10 prekje në sulm para përfundimit të pjesës së parë dhe vetëm 28 për qind zotërim të topit. Numri i goditjeve ishte 13-1. Nëse nuk do të ishin për dy pritjet nga Thibaut Courtois dhe disa goditje të gabuara, City mund të kishte avantazh 4:0 ose edhe më shumë.
Ish-mbrojtësi i Manchester Unitedit, Rio Ferdinand, tani analist, tha se kishte marrë një mesazh në telefon nga trajneri i Cityt, Pep Guardiola, disa orë para ndeshjes.
“Më besoni, ne do t'i mposhtim ata”, ishin fjalët e Guardiolës që i kishte shkruar, tha Ferdinandi.
Teksa doli nga fusha pas ndeshjes, Guardiola tregoi me gisht kah Ferdinandi dhe bërtiti: “Të thashë, të thashë”.
City nuk e mundi vetëm Real Madridin. Ishte një shkatërrim absolut, një pastrim i dhimbjes së gjysmëfinaleve të sezonit të kaluar kur City pranoi golat e ndeshjes së dytë në sekondat e fundit në stadiumin “Santiago Bernabeu”, për të shkuar në vazhdim dhe përfundimisht për të humbur. Kjo e çoi Cityn në paraqitjen e tij me siguri më të mirë në shtatë edicionet nën drejtimin e Guardiolës.
“Më e larta, duke pasur parasysh kundërshtarin”, tha Guardiola, kur iu kërkua të rendiste paraqitjen.
Në ecurinë e tij prej 23 ndeshjesh pa humbje që nga disfata 1:0 ndaj Tottenhamit më 5 shkurt, City ka mposhtur Liverpoolin, Arsenalin, Bayern Munichin dhe tani Real Madridin me të paktën tre gola diferencë. Triumfoi 7:0 ndaj Leipzigut me rezultatin e përgjithshëm në çerekfinale të Championsit, përpara se ta mundte 3:1 Arsenalin - një rezultat në shkurt që ktheu garën për titull në Premier League. Bazuar në të gjitha këto, mund të konstatohet se City është thjesht në një nivel tjetër. Guardiola madje po e pranon se tripleta - Premier League, Kupa FA dhe Championsi është i mundur. Në të vërtetë, Cityt i nevojitet vetëm edhe nga një fitore në secilën prej këtyre tri garave për t’u bërë ekipi i dytë anglez që fiton tripletën pas Manchester Unitedit në vitin 1999.
“Ne mund ta bëjmë atë”, tha Guardiola.
Arritja e këtyre niveleve të përsosmërisë ngre në mënyrë të pashmangshme pyetje se si City arriti deri këtu. Është rezultat i 15 vjetëve të shpenzimeve të mëdha për lojtarët, për të mos përmendur trajnerë si Guardiola, dhe një strategji më të gjerë të zbatuar në mënyrë të pamëshirshme nga pronarët e pasur nga Abu Dhabi. Disa e quajnë këtë si larje sportive e parave dhe ngrenë supet para të bëmave të Cityt. Fakti që klubi po përballet me më shumë se 100 akuza nga Premier League, për gjoja shkeljen e rregullave financiare prej vitit 2008 deri më 2019 dhe që atëherë nuk ka bashkëpunuar me një hetim, e shton turbullimin dhe i bën disa tifozë të futbollit të pyesin nëse City dhe skuadrat e tjera në pronësi të pronarëve nga Lindja e Mesme, si Paris Saint-Germaini (Katar) dhe Newcastle (Arabia Saudite), po ndryshojnë futbollin për keq.
Megjithatë, ndërsa PSG po pengohet pavarësisht pasurisë për të pasur sukses në Champions dhe Newcastle ende nuk ka shfaqur me të vërtetë pasuritë e tij që nga futja nën pronësi në vitin 2021, City ka një strategji të ekzekutuar mirë që ka parë ekipin të bëhet forca dominuese në Angli dhe tani në Evropë. Lojtarët e Cityt ka të ngjarë të fitojnë titullin e tretë radhazi në Premier League, dhe të shtatin në 12 vjet, këtë fundjavë. Më pas vjen finalja e Kupës FA kundër Manchester Unitedit më 3 qershor, përpara finales së Ligës së Kampionëve shtatë ditë më vonë. Bazuar në formën aktuale, Cityn nuk ka kush ta ndalë.