Sport

Trepça optimiste për ta barazuar serinë ndaj Yllit

Pasi e humbën ndeshjen e parë në sekondat e fundit me vetëm një pikë, te skuadra e Trepçës janë të vendosur ta barazojnë serinë finale të plejofit ndaj Yllit në Superligën e Kosovës në basketboll. Aktualisht, rezultati është 1:0 në favor të Yllit, e cili vikendin e shkuar e fitoi ndeshjen dramatike në Suharekë me shifrat 63:62.

Në fakt, ishte kroati Henrik Shirko ai që shënoi për tri pikë, 26 sekonda para fundit të ndeshjes për fitoren e Yllit. Shirko ishte i saktë në tentimin e tij për tri pikë. Dueli i dytë mes këtyre skuadrave do të zhvillohet të enjten prej orës 20:30 në palestrën “Minatori” në Mitrovicë.

E te Trepça besojnë se palestra do të jetë e stërmbushur dhe se tifogrupi “Torcida” do ta përkrahë maksimalisht sikurse në të gjitha ndeshjet e tjera të këtij edicioni drejt fitores së parë ndaj Yllit në serinë finale. Në fakt, Trepça këtë edicion e ka mposhtur Yllin tri herë dhe ka pësuar po aq disfata nga kampioni në fuqi në të gjitha garat, duke llogaritur edhe ndeshjen e parë finale. Organizatori i Trepçës, Amin Hot, beson në triumfin e ekipit të tij. Ai thotë se me një paraqitje të mirë, angazhim të madh dhe përkrahjen e tifozëve, fitorja ndaj Yllit as që diskutohet. Megjithatë, Hot pranon se nuk do të jetë aspak lehtë përballë një ekipi si Ylli, që gjatë gjithë sezonit ka shfaqur ndeshje të mira.

“Realisht, pres një ndeshje shumë të vështirë, pasi kjo u dëshmua edhe në duelin e parë që ishte shumë dramatik dhe u vendos në fund. Në duhet patjetër të bëjmë një paraqitje të nivelit të lartë në çdo aspekt nëse duam ta mposhtim një skuadër cilësore si Ylli”, është shprehur Hot të mërkurën për KOHËN.

“Besoj se në këtë duel do të bëjmë më pak gabime se në Suharekë dhe të jemi të fokusuar në përmbushjen e detyrave që trajneri na i cakton para fillimit të ndeshjes. Nëse japim gjithçka nga vetja duke u angazhuar maksimalisht dhe kësaj ia shtojmë edhe përkrahjen e fuqishme të tifozëve tanë, që pritet të jenë në numër të madh, atëherë besoj se mund t’ia dalim mbanë. Pra, ta fitojmë ndeshjen dhe të barazojmë serinë finale”.

Përderisa Trepça synon ta barazojë rezultatin e përgjithshëm të kësaj serie, në të cilën kampioni shpallet me tri duele të fituara, Ylli udhëton drejt Mitrovicës për ta bërë edhe një hap drejt mbrojtjes së titullit. Këtë synim të ekipit nga Suhareka e konfirmon edhe kapiteni i Yllit, Gëzim Morina edhe pse e ka parasysh se në Mitrovicë fitorja nuk do të jetë aspak mision i lehtë.

“Na pret një ndeshje tejet e vështirë në Mitrovicë. Trepça, jo vetëm që ka një ekip shumë cilësor, por edhe një tifozëri fantastike, kështu që, palestra jam i sigurt se do të ketë një atmosferë të zjarrtë. Mirëpo ne shkojmë në Mitrovicë me qëllimin e vetëm për ta fituar ndeshjen dhe nuk do të kursejmë asgjë nga vetja për ta arritur këtë synim”, ka insistuar Morina për KOHËN. “Dueli i fundit në Suharekë ishte shembulli më i mirë se si duhet organizuar ndeshja dhe se si tifozëritë përkatëse duhet përkrahur ekipin e zemrës. Besoj se e njëjta gjë do të ndodhë edhe në Mitrovicë. Shpresoj që tifozët tanë të mund të vijnë në numër sa më të madh për ta na përkrahur”.

Si Ylli ashtu edhe Trepça, këtë edicion ishin skuadrat më të mira në basketbollin kosovar. Për dallim prej Yllit, që u paraqit edhe në Ligën Unike, Trepça ishte e fokusuar në garat e brendshme. U mposht në finalen e Superkupës së Kosovës, ndërsa e fitoi Kupën e Kosovës pas një dekade. E pas dhjetë vjetësh, Trepça po synon ta kthejë edhe titullin e kampionit në Mitrovicë. Në anën tjetër, edhe Ylli ka fituar një trofe këtë edicion, atë të Superkupës Mbarëkombëtare. Kështu që dy skuadrat po synojnë që edicionin ta mbyllin me trofe, që do të ishte i dyti këtë sezon, por më i çmuari prej të gjithë të tjerëve. Ylli dhe Trepça, garat e plejofit i kanë nisur direkt nga seria gjysmëfinale pasi stinorin e rregullt e kanë mbyllur në dy pozitat e para në tabelë. Ylli ishte kampion i pjesës së rregullt me 50 pikë të tubuara, tri më shumë se Trepça pas 28 xhirove të zhvilluara. Ylli u kualifikua në finale pasi e eliminoi Sigal Prishtinën me rezultatin e përgjithshëm 3:0, kurse Trepça ishte më e mirë se skuadra e Pejës, që e mposhti 3:1 pas katër ndeshjeve të zhvilluara.