Klubi i basketbollit Trepça është gjobitur me 2800 euro për shkeljet që u bën në ndeshjen ndaj Pejës. Të enjten mbrëma në “Minatorin” e stërmbushur, Trepça fitoi 107:105 ndaj Pejës, pas dy vazhdimeve. Ishte ndeshja e dytë gjysmëfinale e plejofit. Trepça udhëheq 2:0, ndërsa i duhet edhe një fitore për të kaluar në finale.
Komesari i Garave, Faton Kurshumlija, të premten mori vendimet për këtë ndeshje. Ai ka vlerësuar se organizimi i ndeshjes nuk ishte i mirë. Edhe sjelljet e shikuesve janë vlerësuar jo të mira. Sipas vendimit, ka pasur hedhje të gjësendeve në fushë, ofendime e sjellje josportive ndaj lojtarëve kundërshtarë dhe hyrje të personave jozyrtarë në fushë.
Janë evidentuar pesë shkelje për të cilat Trepça gjithsej është gjobitur me 2800 euro. Peja është gjobitur me 200 euro.