Tre futbollistë argjentinas janë bllokuar për pesë ditë në aeroportin e Frankfurtit, derisa po tentojnë të kthehen në shtëpi pas përhapjes së koronavirusit.
Leonardo Gil, Sergio Vittor dhe Cristian Guanca luajnë në elitën e Arabisë Saudite, ndërsa kishin leje të veçantë për t’u kthyer në vendlindje.
Tre lojtarët e kishin aranzhuar kthimin në Buenos Aires përmes Sao Paolos. Por pasi ka ndalesë për udhëtimet në mes të Brazilit dhe Argjentinës atyre u dahet leje tjetër që fluturimi me aeroplan privat të realizohet.
Leja, që lëshohet vetëm nga Autoriteti Kombëtar i Fluturimit në Argjentinë, në konsultim me qeverinë dhe Ministrinë e Shëndetësisë, nuk arriti me kohë dhe si rezultat ata nuk u lejuan të fluturojnë nga Gjermania.
Kështu tre futbollistët mbetën të bllokuar në aeroport për pesë ditë.
“Kemi trokitur në të gjitha dyert. Është turp. Aeroplanë të zbrazët udhëtojnë për në Buenos Aires për të mbledhur jo-argjentinas”, ka thënë Gil për Bild.
“Nuk e kuptojmë pse qeveria po braktis shtetasit argjentinas”.
Guanca udhëton së bashku me gruan, dy vajzat dhe nënën të cilat të paktën ia ka dalë të siguroj një dhomë të hotelit.
“Kemi gjetur vetëm dy dhoma të cilat ua kemi dhënë vajzave të Chino Guancas dhe nënës së tij, që është personi i rrezikuar në aeroport”, ka thënë Gil.
“Ne kemi fjetur në aeroport. Askush nuk është këtu në aeroport”.
