Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Transferimi i Benzemas tek Al-Ittihadi vë në dyshim të ardhmen e golashënuesit të ligës saudite

Transferimi i fituesit të “Topit të Artë”, Karim Benzema, te kampioni i Arabisë Saudite, Al-Ittihad, mund të mos jetë krejt pozitiv, pasi marrëveshja e vë në dyshim të ardhmen e golashënuesit më të mirë të Ligës Saudite, Abderrazak Hamdallah.

Të martën, Al-Ittihad nënshkroi me golashënuesin e dytë më të mirë të të gjitha kohërave të Real Madridit, me 354 gola në 14 vjet të ngarkuar me trofe, në një marrëveshje trevjeçare, përpara se të konfirmonte se do të veshë fanellën me numrin nëntë, të cilën e ka bartur Hamdallah. Sulmuesi maroken ishte një pjesë kyç e suksesit të Al-Ittihad në edicionin e fundit. Hamdallah, 32-vjeçar, tre vjet më i ri se Benzema, shënoi 21 gola në 26 ndeshje dhe fitoi çmimin e golashënuesit më të mirë të ligës, përpara Anderson Taliscas të Al-Nassr dhe Odion Ighalos të Al-Hilalit. Hamdallah ishte veçanërisht klinik në ndeshjet e mëdha dhe ishte një nga arsyet kryesore që Al-Ittihadi fitoi titullin për herë të parë që nga viti 2009. Lojtari ishte i qetë për mundësinë e ardhjes së Benzemas kur u pyet për këtë nga mediat lokale javën e kaluar.

“Ne mirëpresim çdo lojtar që vjen dhe mund të ndihmojë ekipin. Ai është i mirëpritur dhe ne nuk kemi asnjë problem”, tha ai. “Ne jemi lojtarë të mëdhenj dhe jemi mësuar të konkurrojmë brenda dhe jashtë fushës dhe jemi të disponueshëm për çdo gjë”.

Megjithatë, gjërat kanë ndryshuar prej të martës kur Benzema edhe zyrtarisht u prezantua me fanellën e Al-Ittihadit. Hamdallah nuk ka komentuar fare që kur u konfirmua marrëveshja e Benzemas. Për tre vjet sa nënshkroi kontratën me ekipin saudit, u tha se Benzema do të marrë në total 600 milionë euro apo 200 milionë euro në vit. Kështu që, për sa kohë që Benzema është në formë, pritet që Hamdallah të mos jetë sulmuesi kryesor tek Al-Ittihadi dhe do të jetë e vështirë të ndryshojë pozicionin e tij, duke pasur parasysh mungesën e shpejtësisë dhe ngjashmërinë në lojë me sulmuesin francez. Prandaj Hamdallah do të duhet të pranojë një rol më pak të rëndësishëm, ose të kërkojë një klub tjetër, siç bëri Vincent Abu Bakr, ish-sulmuesi i Al-Nassr, janarin e kaluar kur klubi i tij nënshkroi Cristiano Ronaldon, golashënuesin më të mirë të të gjitha kohërave të Real Madridit dhe ish-kolegun e Benzemas.

“Reagimi i Hamdallahut është i pritur, duke pasur parasysh se ai nuk besonte se Benzema do të transferohej tek Al-Ittihadi. Benzema jo vetëm që u transferua por edhe mori fanellën me numrin e tij. Kështu që, Hamdallah e ka shumë mirë parasysh se do të jetë rezervist në edicionin e ri apo do të jetë i detyruar të largohet. Në klub, i gjithë fokusi tash e tutje do të jetë te Benzema”, ka thënë një burim brenda klubit Al-Ittihad, i cili po synon transferimin edhe të disa lojtarëve të tjerë nga Evropa.