Sport

Trajnerja e Donjetës: Ditë e madhe për Kosovën dhe shqiptarinë

Kualifikimin në Lojërat Olimpike “Parisi 2024” të boksieres Donjeta Sadiku, trajnerja e saj Marjola Sallauka e ka vlerësuar ditë të madhe për Kosovën dhe gjithë shqiptarinë.

Sadiku të shtunën siguroi normën olimpike për Lojërat Olimpike që këtë vit mbahen në Paris, pasi në gjysmëfinale të turneut që po mbahet në Busto Arsizio në Itali, mposhti italianen Alessia Mesiano me rezultatin 3:2.

Meçi i takoi kategorisë deri 60 kilogramë.

“Ditë e madhe për Kosovën, ditë e madhe për shqiptarinë. Një trimëreshë e vërtetë e luaneshë në ring, kjo është Donjeta Sadiku. E palodhshme e punëtore që asnjëher nuk u dorëzua drejt realizimit të ëndrrave të saj, e që sot arriti të siguroj kualifikimin për në Lojërat Olimpike - Paris 2024. Jam krenare që jam trajnerja e saj e krahë saj në realizimin e ëndrrës Olimpike. Një premtim të cilin e bëmë e realizuam, kualifikimin e arritëm. Rruga nuk përfundon këtu, shihemi në Paris. Falenderuse përjetësisht të gjithë atyre që na mbështetën e na qëndruan afër gjatë këtij rrugëtimi. Posaqërisht Federatën, kryetarin Enver Krasniqi dhe sekretarin Latif Demolli si dhe Komitetin Olimpik të Kosovës. Veçanërisht falenderoj trajnerën e mikeshën time Marigona Beadini. Selektorin e femrave Faton Xhakli si dhe selektorin e meshkujve Musli Zymberi për bashkëpunimin gjatë këtij turneu kualifikues”, ka shkruar Sallauka në “Facebook”.

Është hera e parë që një boksiere nga Kosova do të jetë pjesë e Lojërave Olimpike me normë olimpike. Në Tokio, Sadiku kishte marrë pjesë me ftesë.

https://www.koha.net/sport/412069/sadiku-siguron-normen-per-lojerat-olimpike-ne-paris/