Sport

Trajneri që synon ta drejtojë Kosovën, po shkruan histori në Kupën e Afrikës

Tom Saintfiet

Pasionin dhe dashurinë që ka për Kosovën e ka përsëritur disa herë. Belgu Tom Saintfiet synon që një ditë ta udhëheqë Përfaqësuesen e Kosovës në futboll. Por 48-vjeçari aktualisht e ka fokusin diku tjetër. Është i vendosur për sa më shumë sukses në Kupën e Afrikës në futboll.

Saintfiet, i njohur si trajner shtegtar, aktualisht po e drejton Përfaqësuesen e Gambisë. Gambia po shkruan histori të futbollit aktualisht, të paktën të atij afrikan.

Me golin e Musa Barrow, Gambia të hënën mbrëma e siguroi çerekfinalen e Kupës së Afrikës. Fitoi 1:0 ndaj Guinesë. Në çerekfinale, më 29 janar, do të takohet me Kamerunin, përfaqësuesen e vendit ku po zhvillohet “Kupa e Afrikës 2021”. Kameruni fitoi 2:1 ndaj Komorosit që kishte mbrojtës të majtë në portë, në mungesë të tre portierëve.

Gambia për herë të parë po paraqitet në Kupën e Afrikës. Në short ishte e fundit në vazon e fundit. Por regjistroi dy fitore e një barazim në grup, për të avancuar në një të tetën e finales. Tani ka avancuar edhe në çerekfinale. Ndikimi i Saintfietit në këtë sukses vlerësohet madhor.

“Ju e dini pasionin tim dhe dashurinë time për Kosovën, vendin që pres të kualifikohet në një ngjarje të madhe në vitet e ardhshme”, kishte thënë Tom Saintfiet për KOHËN, më 28 prill të vitit të kaluar.

Kosova kishte luajtur miqësore me Gambinë më 11 qershor të vitit të kaluar në Turqi. Kishte fituar 1:0. Ndërkohë me Guinenë, më 8 qershor, kishte pësuar 2:1.

Saintfiet e përsërit vazhdimisht rrëfimin se si e ka ngritur Gambinë. Ai i ka thënë KOHËS që në vitin 2016 e kishte pyetur dikush për mundësinë që ta drejtojë Kosovën. Kishte thënë po.

“Kur arrita në Gambi, në korrik të vitit 2018, kjo përfaqësuese kishte vetëm një fitore në pesë vjetët e kaluara, nga vitit 2013 e deri në vitin 2018. Ishte e 172-ta në ranglistën e FIFA-s. Unë e kam ndryshuar shumë. Angazhova staf cilësor të trajnerëve dhe mjekëve, menaxhment të mirë dhe sigurova pjesëmarrje nga federata. Por mbi të gjitha unë kam skautuar shumë lojtarë të rinj. Që nga arritja ime mbi 24 futbollistë kanë bërë debutimin. Që nga ndeshja e parë me Algjerinë, të cilën e luajtëm para 45 mijë shikuesve, kemi marrë rezultate të mira. Kështu që jemi zhvilluar mirë dhe kemi arritur rezultate të mira. Është vend i vogël, me vetëm dy milionë banorë”, ka thënë Saintfiet.

Ai ka nisur karrierën e trajnerit herët, në nivele të ulëta belge. Në vitin 2008 mori drejtimin e Namibisë. Më pas drejtoi Zimbabvenë, Etiopinë, Jemenin, Malawin, Togon, Bangladeshin, Trinidad dhe Tobagon, Maltën dhe tani është te Gambia. Kosova mund të jetë, ndoshta, stacion i ardhshëm i belgut.

Kosova aktualisht është pa përzgjedhës, por Saintfiet nuk përmendet në mesin e kandidatëve.

Saintfiet ka treguar të martën se shumë anëtarë të Gambisë ishin helmuar me ushqim në ditën e ndeshjes me Guinenë. Tani fokusi është te ndeshja me Kamerunin.

“Kemi pak për të humbur. Në histori të Kupës së Afrikës, 44 përfaqësuese kanë marrë pjesë dhe një nuk ka humbur asnjëherë – Gambia. Tri fitore e një barazim, kjo do të thotë diçka dhe shërben si inspirim”, ka thënë Saintfiet.

Ai ka thënë se secila përfaqësuese që duhet të takohet me Kamerunin përballet me raste pozitive me koronavirus”.

Ëndërr e Saintfietit është të paraqitet në Kupën Botërore, ngjarjen më të madhe.

“Ambicie e imja është të shkoj në Kupën e Botës. Por unë jam realist dhe e di që nuk do të drejtojë ekipe si Belgjika, Franca apo Argjentina”, thotë Saintifiet.

Ai aktualisht po e jeton ëndrrën, ndërsa një prej ëndrrave pos Botërorit e ka të drejtojë Kosovën.