Sport

Trajneri i Slovanit kërkon ndihmën e babait për duelin me Niklin

Trajneri i Slovanit, Jan Kozak, do të ketë ndihmën e babait të tij për ndeshjen e kthimit të Ligës së Evropës kundër Feronikelit. Kozak që ka marrë drejtimin e Slovanit një ditë para ndeshjes me Feronikelin, që u zhvillua të martën në Bratislavë, ka pranuar se falë këshillave të babait të tij, ka triumfuar të shtunën në kampionat bindshëm ndaj Zemplinit.

Kështu që, ai pret të marrë këshilla nga babai edhe për ndeshjen me Feronikelin, që do të zhvillohet të martën në stadiumin "Fadil Vokrri" në Prishtinë. Ndeshja e parë është mbyllur me fitoren minimale të Slovanit (2:1).

Kozak mori drejtimin e ekipit, pasi trajneri serb Vladimir Radenkoviq dhe futbollistët serbë Aleksandar Çavriq e Dejan Drazhit morën vendim për t'u mos u paraqitur kundër kampionit të Kosovës pas kërkesës së Qeverisë së Serbisë, shkruan sot Koha Ditore.

Kozak ka qenë trajner i ekipit të juniorëve, kurse është biri i trajnerit të mirënjohur me të njëjtin emër - Jan Kozak.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)