Trajneri i Çekisë, Jaroslav Silhavy, e ka bërë publike listën prej 19 lojtarëve për ndeshjen kundër Kosovës dhe Malit të Zi.
Ai ka ftuar lojtarët më të mirë, që luajnë në klube të ndryshme evropiane. Por, ndeshjen kundër Kosovës e ka cilësuar si të vështirë.
“Në grup kemi rivalë sfidues, në veçanti Kosova, e cila është një rivale e përafërt me ne dhe shumë e rrezikshme. Por, besoj se mund ta menaxhojmë ndeshjen”, ka thënë në konferencën për media përzgjedhësi i Çekisë, transmeton KTV.
Ndeshja kualifikuese për kampionatin evropian “Euro 2020” ndërmjet Kosovës dhe Çekisë, do të zhvillohet më 7 shtator nga ora 15:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Ndeshjen e ardhshme Kosova e luan më 10 shtator në udhëtim ndaj Anglisë, kurse Çekia kundër Malit të Zi.
