Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Trajnerët pohojnë se nuk ka kushte të testimit për COVID-19

Trajnerët e futbollit, Debatik Curri, Sami Sermaxhaj dhe Erdin Hashani kanë thënë se nuk ka kushte për t’u bërë teste lojtarëve dhe anëtarëve të klubeve të vendit. Madje, ndihmëstrajneri i Prishtinës, Curri dhe dy trajnerët tjerë Srmaxhaj dhe Hashani kanë theksuar se nuk është edhe nevoja të bëhen teste para ndeshjeve apo stërvitjeve.

“Nuk i kemi bërë testet, e rrezikshme është, por për shkak të kushteve e kemi pak problem. Duhet secili të përkujdeset për vete. Nëse jemi të gjithë të kujdesshëm, mund të kemi zhvillim të rregullt të kampionatit”, ka thënë Curri për emisionin sportiv të KTV-së, Sporti Total. “Mendoj që qasja po ndryshon me COVID. Secili që ka simptome është mirë të lajmërohet dhe të bëhen teste. Nuk duhet patjetër ekipet para ndeshjes apo stërvitjes të bëjnë testime”, është shprehur Sermaxhaj.

Pas deklaratës së Sermaxhajt ndërhyri sërish Curri duke shtuar se nuk janë edhe shumë të sakta rezultatet që dalin pas testit për koronavirus.

“Nuk e kemi kusht të bëjmë teste para ndeshjeve. Është koha për t’u përshtatur me këtë virus. Ka raste kur brenda ditës kemi pasur rezultate të ndryshime. Ai person që ka simptome duhet të diferencohet dhe t’i bashkohet grupit më vonë”, ka theksuar Curri.

Ndërkohë, Hashani ka thënë se duhet të jetohet me virusin.

“Nëse nuk ka simptome nuk ka nevojë të bëhen teste, por ne duhet të jetojmë me këtë virus, sepse nuk është situatë vetëm te ne, por në gjithë botën”, ka thënë Hashani.