Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Tolisso do të mungojë disa muaj

Kampioni i Gjermanisë, Bayern Munichu, nuk do të mund të llogarisë në shërbimet e mesfushorit Corentin Tolissos për disa muaj.

Lajmi është konfirmuar nga trajneri Hansi Flick në konferencën për shtyp para ndeshjes kundër Eintracht Frankfurtit. Kampioni i botës i vitit 2018 ka pasur dëmtim të rëndë në muskul të enjten, në seancën stërvitore që u zhvillua me dyer të mbyllura. Ai është operuar menjëherë.

“Më ka ardhur shumë, shumë keq. Është disi tragjedi nëse e sheh historinë e tij”, ka thënë të premten Flick. “Të gjithë kanë qenë të shokuar, të mërzitur për lëndimin e tij. 26-vjeçari tashmë është operuar”, ka thënë Flick.

Sipas teknikut gjerman, Bayern Munichu do të jetë pa mesfushorin francez për të paktën tre muaj.

Ndeshja Eintracht Frankfurt – Bayern Munich luhet të shtunën në orën 15:30.