Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Tjetër “El Clasico” e fituar nga Barcelona

Skuadra e femrave të Barcelonës ka kaluar në finale të Superkupës së Spanjës, pas triumfit në “El Clasico” ndaj Real Madridit. Dueli gjysmëfinal i Superkupës i zhvilluar të enjten mbrëma në “Estadio Romano”, i takoi Barcelonës, që mposhti Real Madridin me rezultatin 3:1, pas vazhdimeve.

Claudia Pina shënoi për 1:0 në minutën e 24-t, ndërsa shifrat për madrilenet i barazoi Caroline Weir, në minutën e 54-t. Irene Paredes e Barcelonës e la skuadrën me një lojtare më pak në fushë nga minuta e 60-të, pasi mori kartonin e dytë të verdhë.

Reali nuk e shfrytëzoi epërsinë numerike në fushë dhe ndeshja shkoi në vazhdime. Në fund të pjesës së dytë të vazhdimeve, Barcelona shënoi edhe dy herë për fitoren 3:1. Në minutën e 111-të realizoi Mariona Caldentey, kurse Salma Paralluelo në minutën e 120-të vulosi rezultatin final të takimit. Në finale, Barcelona do të luajë kundër Real Sociedadit që eliminoi Huelvan, 1:0. Finalja luhet më 22 janar, në mesditë.