Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Tirana përballë Young Boysit kërkon suksesin historik

Kampionia e Shqipërisë në futboll, Tirana, është vetëm një ndeshje larg kualifikimit në fazën e grupeve të Ligës së Evropës. E për të arritur një gjë të tillë, futjen në fazën e grupeve të garës së dytë për nga rëndësia në Evropë, Tirana duhet ta eliminojë kampionin e Zvicrës, Young Boysin, në ndeshjen e plejofit.

Kjo ndeshje zhvillohet të enjten (sot) në stadiumin “Stade de Suisse” të Bernës, me fillim në orën 20:30. Në fakt, Tirana është ekipi i vetëm shqiptar që ka mbetur ende në garë në kupat evropiane pasi është kualifikuar direkt në fazën e plejofit nëpërmjet shortit pas eliminimit nga Liga e Kampionëve.

Javën e shkuar, në raundin e tretë të Ligës së Evropës, u eliminuan Drita edhe Shkëndija e Tetovës derisa në raundet e mëparshme një fat të tillë të hidhur e kanë pasur edhe Kukësi, Teuta, Laçi, Renova e Shkupi. Kualifikimi në fazën e grupeve për Tiranën do të ishte historik pasi për herë të parë do të luante në këtë nivel derisa do të shpërblehej në total me 2.92 milionë euro. Në rast të eliminimit, Tiranës do t’i takojnë vetëm 1.92 milionë euro nga fondi i solidaritetit të UEFA-s. Tirana të mërkurën pasdite ka aterruar në qytetin zviceran, kurse në mbrëmje ka mbajtur edhe stërvitjen e fundit para ndeshjes së rëndësishme. Pjesë e Tiranës është edhe reprezentuesi i Kosovës, portieri Visar Bekaj.

Trajneri i Tiranës, Emanuel Egbo, ka thënë se gjasat janë të barabarta si për ekipin e tij ashtu edhe për Young Boysin për kualifikim në fazën e grupeve të Ligës së Evropës, ku shorti për këtë fazë do të tërhiqet të premten.

“Shanset janë 50 me 50. Normale që është një ndeshje historike pasi është hera e parë që Tirana e gjen veten në plejof. Do t’u them futbollistëve që ta shijojnë këtë ndeshje dhe do të kërkojmë që të marrim atë që na takon. Young Boysi është pak më i avantazhuar pasi ka luajtur në kampionat, por nga ana tjetër ndeshjet që kemi bërë në Evropë na ka dhënë më tepër besim. Në presion është Young Boys jo Tirana”, është shprehur Egbo. “Do të përpiqemi që të mos bëjmë shumë gabime, le të jetë Young Boysi që do të bëjë gabime dhe ne duhet të përfitojmë. Ajo që duhet është që ne të japim më të mirën si grup. Young Boysi ka probleme brenda vetes, kërkonte që të futej në grupet e Ligës së Kampionëve dhe prandaj nuk ka shumë motivim për grupet e Ligës së Evropës”.