Sport

Timo Werner i pakënaqur me startin e tij të ngadalshëm te Chelsea

Londër, 20 dhjetor (Reuters) – Sulmuesi Timo Werner i Chelseat thotë se po lufton për t'u përshtatur me Premier Leaguen rigoroze pas transferimit të tij të bujshëm në “Stamford Bridge” nga skuadra e RB Leipzigut. Werner pranon se ka pasur një start të dobët te Chelsea, gjë që nuk e ka pritur as vetë, por sulmuesi është i bindur se së shpejti do të fillojë të shënojë gola pasi thotë se për këtë punë i është bashkuar Chelseat. Werner, 24-vjeçar, ka shënuar vetëm katër gola në 13 paraqitje me fanellën e Chelseat në kampionat këtë sezon. Ai u transferua te Chelsea nga Leipzigu në verën e këtij viti, për 60 milionë euro dëmshpërblim. Megjithatë, Werner deri më tani, nuk e ka arsyetuar çmimin për të cilin pagoi Chelsea.

“Në futboll ka shumë rëndësi çmimi që ekipi paguan për një përforcim. Kështu që gjithmonë ka presion kur i bashkohesh një ekipi të ri, sidomos nëse është paguar një dëmshpërblim i majmë.

Mirëpo, mendoj se mund ta menaxhoj këtë situatë shumë mirë për shkak se nuk është diçka e re”, ka pranuar Werner. “Natyrisht, presioni është pak më i lartë se vitet e mëparshme, por unë mendoj se futbollistët e mirë mund ta përballojnë presionin dhe ky është plani im. Besoj se mund të luaj shumë më mirë kur jam nën presion”.

Gjithashtu, Werner ka pranuar se kampionati anglez dallon shumë prej Bundesligës. Edicionin e shkuar, Werner ishte i jashtëzakonshëm duke shënuar 34 gola dhe asistuar 13 herë në 45 paraqitje për RB Leipzigun në të gjitha garat.

“Premier League është pak më ndryshe nga Bundesliga ku kam luajtur. Është shumë më e ashpër nga sa kam menduar. Kontakti këtu është më i vështirë se në Gjermani. Ndoshta kam pritur të jetë vështirë, por jo kaq shumë”, është shprehur Werner.

Werner, i cili nuk ka arritur të gjejë rrjetën në tetë ndeshjet e tij të fundit në të gjitha garat, tha se orari i ngjeshur ka kontribuar në këtë shterpësi të tij. Megjithatë, ai është i motivuar maksimalisht për ta ndihmuar Chelsean në pjesën e mbetur të këtij edicioni për t’i arritur synimet.

“Fillimi ishte shumë i mirë, por tani pas shumë ndeshjeve po kam paksa telashe për të shënuar gola dhe kjo po ndikon edhe tek ekipi”, shtoi Werner. “Mendoj se është e vështirë kur luan çdo tri ditë. Kjo ma pamundëson të jem më i miri në çdo ndeshje, por nuk e kam ndërmend të dorëzohem. Besoj se do të kthehem fuqishëm për të dëshmuar se mund të jem efikas edhe në Premier League”.

Werner, që ka kontratë me Chelsean deri në vitin 2025, pritet të jetë titullar te Chelsea për ndeshjen e radhës në kampionat. Chelsea të hënën e pret në stadiumin “Stamford Bridge” në kuadër të xhiros së 14, ndeshje që nis në orën 21:00. Chelsea zë vendin e tetë në tabelë me 22 pikë pas 13 ndeshjeve të zhvilluara këtë sezon.