Mbrojtësi i Real Madridit, Sergio Ramos, është cak i një peticioni që fton për “dënimin” e tij pasi e lëndoi Mohamed Salahun e Liverpoolit në finalen e Ligës së Kampionëve.
Ramosi nga një pjesë e fansave të futbollit njihet për ashpërsitë e tij brenda dhe jashtë fushës. Tani ai është bërë armiku kryesor i shumë tifozëve pasi në një përplasje lëndoi Salahun, në finalen që Reali e fitoi 3 me 1.
Tani një peticion në “Change.org” ka marrë më shumë se 180 mijë nënshkrime. Aty kërkohet që UEFA dhe FIFA të marrin masa ndaj Ramosit.
“Sergio Ramos qëllimshëm e mbajti krahun e Salahut, duke i shkaktuar dislokim. Jo vetëm që mungoi në atë ndeshje, por do të mungojë edhe në Botërorin 2018”, kanë shkruar nismëtarët e peticionit.
“Si shtesë, ai vazhdoi me simulime dhe gjyqtari ndëshkoi Manen me karton të verdhë pa e merituar fare. Sergio Ramos përfaqëson një shembull të tmerrshëm për gjeneratat e ardhshme të futbollistëve. Në vend të fitores fer, ai përdor truqe që bien ndesh me shpirtin e lojës. UEFA dhe FIFA duhet të marrin masa ndaj Ramosit dhe lojtarëve të tillë duke përdorur incizimet e ndeshjeve”, thuhet më tej aty.