Sport

Tifozët e Kosovës i trimëron forma e Rrahmanit e Muriqit

Amir Rrahmani e Vedat Muriqi janë liderë të pakontestueshëm të Kosovës. Dhe forma e tyre është e lartë aktualisht. Por ka plot sfida për përzgjedhësin e Kosovës, Alain Giresse. Kush do të luajë përkrah Rrahmanit në qendër të mbrojtjes? Kush do ta përbëjë mesfushën e kush do të furnizojë Muriqin me topa nga krahët? Pos Rrahmanit e Muriqit, Kosova i ka edhe disa lojtarë në formë. Por ka plot të tjerë që në ndeshjet me Kosovën synojnë të dalin nga kriza

Kosova mund të mburret që ka lojtarë në fazën çerekfinale të Ligës së Kampionëve. Jo të gjitha përfaqësueset evropiane e kanë këtë fat.

Tifozët e Kosovës po ashtu mund të mburren që kapiteni i përfaqësueses pas disa javësh do ta festojë titullin e kampionit në Itali. Dhe që sulmuesi kryesor i përfaqësueses ka dhjetë gola në La Ligan spanjolle, madje për një skuadër që nuk është se shënon shumë.

Mbrojtësi Amir Rrahmani dhe sulmuesi Vedat Muriqi janë në momentin më të mirë në karrierë. Dhe prej formës së tyre pritet që Kosova të përfitojë shumë në fazën kualifikuese për Euro 2024. Janë edhe disa lojtarë të tjerë që trimërojnë tifozët me formën e tyre, por ka edhe shumë që nuk i ndahen stolit dhe që nuk janë në formën e duhur.

Rrahmani me Napolin po arrin sukses historik. Skuadra italiane për herë të parë është në çerekfinale të Championsit, ndërsa titullin në Serie A thuajse e ka të sigurt. Kapiteni i Kosovës, Rrahmani, po kalon formë të lartë edhe në aspektin individual, ndërsa është titullar i padiskutueshëm.

Sulmuesi Muriqi ka dhjetë gola për Mallorcan. Të dielën nuk shënoi, por kishte dy gola në fund të muajit shkurt. Pavarësisht nëse shënon apo jo, Muriqi vlerësohet shumë i rëndësishëm për sulmin e Mallorcas, ndërsa peshë të njëjtë, nëse jo më të madhe, ka edhe te Kosova.

Milot Rashica ka rritur formën së fundi po ashtu. Në ndeshjen e fundit për Galatasarayn shënoi gol, ndërsa një ndeshje më herët kishte asistim. Ka dy gola e katër asistime për skuadrën që udhëheq në elitën turke.

Sa u takon portierëve, Arijanet Muriq është thuajse i pakontestueshëm zgjedhja e parë e selektorit Alain Giresse. Ai është i pazëvendësueshëm te Burnley i kategorisë së dytë angleze. Së fundi ka pranuar fare pak gola.

Samir Ujkani ka disa vjet që nuk i ndahet stolit, ndërsa këtë edicion nuk ka asnjë paraqitje për Empolin në Serie A. Visar Bekaj është i rregullt te Tirana, por nuk vlerësohet me gjasa për ta zënë vendin e Muriqit.

Prej mbrojtësve, Mërgim Vojvoda nuk po kalon ditët më të mira te Torino. Ai luan herë zëvendësues e herë titullar, por pa dhënë ndonjë kontribut të madh. Florent Hadërgjonaj po ka po ashtu telashe serioze, ndërsa paraqitet në elitën turke, që është nivel dukshëm më i ulët se Serie A. Hadërgjonaj kryesisht qëndron në stol te Kasimpasha në xhirot e fundit.

Edhe Mirlind Kryeziu ka humbur vendin te Zuerichu, derisa te kjo skuadër paraqitet rregullisht Fidan Aliti. Por Zuerichu po lufton për mbetje në elitën e Zvicrës dhe nuk është skuadra që ishte vjet.

Amar Gërxhaliu është emër i ri në listë, por që nuk pritet të jetë konkurrent për vend në ekip. Ai ka tri paraqitje për Antalyasporin në Superligën turke, ndërsa në të shumtën e kohës është rezervist i papërdorur.

Leart Paqarada është kandidat i fortë për pozitën e mbrojtësit të majtë, nëse përballë merren paraqitjen në nivel skuadrash. Ai luan rregullisht për St. Paulin në Bundesliga 2, ndërsa tashmë ka siguruar transferin te Koelni. Paqarada ka bërë gjashtë asistime deri më tani.

Më e vështirë vlerësohet gjendja në mesfushë. Giresse është detyruar të kthej Valon Berishën, që nuk ishte në disa grumbullime pas transferimit në Australi. Berisha po luan rregullisht te Melbourne City, por liga australiane nuk e ka as për së afërmi nivelin që e ka Ligue 1, ku Berisha ishte më herët.

Ibrahim Dresheviq po paraqitet rregullisht për Karagumrukun, që është stabilizuar në mesin e tabelës në elitën e Turqisë. Por ai po paraqitet në qendër të mbrojtjes. Te Kosova është përdorur shpesh mesfushor defanziv, por edhe mbrojtës.

Betim Fazliji, një tjetër mesfushor defanziv, kalon pak minuta në fushë te St. Pauli. Donat Rrudhani, lojtari i krahut të majtë, po lufton për minuta tek Young Boysi, lideri i Superligës së Zvicrës. Të dielën ishte vetëm në stol, ndërsa në ndeshjen e kaluar luajti 21 minuta.

Blendi Idrizi ka mbledhur 14 paraqitje për Regensburgun në Bundesliga 2. E ka një asistim. Ai nuk kompleton ndeshjet, por ka nisur të stabilizohet në përbërjen bazë. Bersant Celina as që është grumbulluar në katër ndeshjet e fundit te Stoke City në kategorinë e dytë angleze, por është ftuar nga Kosova. Ndërkohë Florian Loshaj është në ditët e para tek Istanbulspori, skuadra që po garon për mbetje në elitën turke. Loshaj ka pasur kohë të gjatë mungesë në ndeshje, sa ishte te Cracovia në Poloni.

Florent Muslija luan herë startues e herë zëvendësues te Paderborni në Bundesliga 2. Së fundi ka shënuar më 11 shkurt. Ka katër gola e tri asistime në 24 paraqitje.

Sa u takon lojtarëve ofanzivë, zgjedhjet vlerësohen më të shumta. Edon Zhegrova nuk luan rregullisht për Lillen, por jep kontribut. Në ndeshjen e fundit asistoi. Ai ka një gol e katër asistime në 16 paraqitje në elitën franceze. Po në Ligue 1, Elbasan Rashani ka munguar në tri ndeshjet e fundit për shkak të një lëndimi, ndërsa Arbër Zeneli ka fare pak hapësirë te Reimsi.

Zymer Bytyqi as që po grumbullohet te Olympiacosi, ndërsa Arbnor Muja e Albion Rrahmani janë ftuar pas paraqitjeve të mira me Antëerpin dhe Ballkanin e Suharekës.

Përzgjedhësin Giresse përfundimisht e presin sfida të shumta. Ndër të tjera duhet të përcaktojë partnerin në mbrojtje për Rrahmanin, ndonëse nuk ka shumë opsione prej lojtarëve që janë në formë. Duhet të vendos për mesfushën, ku opsionet janë fare të vogla, ndërsa sfidë do ta ketë edhe përcaktimin e lojtarëve që nga krahët do ta përkrahin Muriqin në sulm.

Me pak përjashtime, forma e lojtarëve të Kosovës nuk është më e mira e mundshme. Kosova grumbullohet të hënën, ndërsa të shtunën e ka ndeshjen e vështirë me Izraelin në Tel Aviv. Synimi i Kosovës është i qartë – kualifikimi në Euro 2024.