Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Thomas Mueller nuk e di si të veprojë me tifozët në pandemi

Sulmuesi i Përfaqësueses së Gjermanisë, Thomas Mueller, pranon se e ka të vështirë të vendosë se si të veprojë me tifozët gjatë pandemisë COVID-19. Ai thotë se po mundohet të jetë maksimalisht i kujdesshëm sa i përket kontaktit direkt dhe insiston se po i vjen keq për qasjen që e ka krijuar në këtë kohë ndaj publikut. Mueller po heziton të japë autografe e lëre më të bëjë “selfie”.

“Unë mund të them vetëm për veten time se jam ende shumë i kujdesshëm në lidhje me kontaktin e drejtpërdrejtë. Nuk e di saktësisht se si duhet të sillem dhe për këtë po më vjen shumë keq”, pranoi Mueller gjatë një konference shtypi të martën, tri ditë para ndeshjes kualifikuese të Gjermanisë për Botërorin “Katari 2022” kundër Rumanisë në Hamburg. “Unë jam shumë ngurrues për të dhënë autografe. Është e vështirë për të gjithë të gjejnë një linjë të qartë për këtë situatë”.

32-vjeçari të premten pritet të bëjë paraqitjen e 107-të me fanellën e Gjermanisë. Mueller u infektua me koronavirus në shkurt të këtij viti derisa ishte duke luajtur për Bayernin në Botërorin e klubeve që u mbajt në Katar. Ai u detyrua të kthehej në Gjermani dhe u vendos në karantinë në bodrumin e shtëpisë së tij, pranë qytetit të Munichut, për të shmangur infektimin e gruas.

Gjermania është në rrugën e duhur për t'u kualifikuar për Kupën e Botës që mbahet vitin e ardhshëm pasi ka një epërsi prej katër pikësh në krye të grupit, pas fitoreve të muajit të kaluar ndaj Lihtenshtajnit, Armenisë dhe Islandës. Ekipi i përzgjedhësit Hansi Flick e pret Rumaninë para se të përballet në udhëtim me Maqedoninë e Veriut. Dy ndeshjet e fundit të këtij cikli eliminator, Gjermania do t’i luajë muajin tjetër, kundër Lihtenshtajnit dhe Armenisë.

Gjermania u mblodh në një hotel në Hamburg të dielën, por shumica e yjeve injoruan turmën e vogël që priste për autografe dhe fotografi. Mbrojtësi i Chelseat, Antonio Ruediger, ishte lojtari i vetëm i Gjermanisë që nënshkroi autografe dhe bëri fotografi me tifozët, përderisa respektonte distancimin shoqëror.

“Është e rëndësishme që të tregohem i afërt me tifozët edhe në këtë situatë pandemike”, tha Ruediger.

Edhe Pas Kroosit pensionohet edhe një tjetër futbollist gjerman Futboll Pas Kroosit pensionohet edhe një tjetër futbollist gjerman

Mesfushori i Borussia Moenchengladbachut, Jonas Hofmann, shpjegoi se pse shumica e futbollistëve ngurronin të takonin tifozët, me Gjermaninë ende në valën e katërt të pandemisë COVID-19.

“Kufizimet po lehtësohen, por nuk duhet të anashkalohet që njerëzit e vaksinuar ende mund të infektohen”, tha Hofmann. “Si në klubet tona, ashtu edhe këtu me ekipin kombëtar, ka rregulla strikte dhe higjienike që ne duhet të ndjekim. Çdo tifoz dëshiron autografe dhe ‘selfie’, por rregulloret janë ende aty”.