Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi përmes një postimi në Facebook ka uruar xhudistët kosovarë për suksesin në Grand Slamin e Parisit, ndërsa e cilëson si dhuratën më të mirë për dhjetë vjetorin e Pavarësisë.
Akil Gjakova sot shkroi historinë duke fituar medaljen e parë të artë te meshkujt në një Grand Slam, përderisa Distria Krasniqi mori medaljen e bronztë sot në Paris, transmeton Koha.net.
“Vetëm një javë para shënimit të jubileut të pavarësisë së Kosovës, Akil Gjakova, me medaljen e artë që e fitoi sot në Grand Slam-in e xhudos në Paris, njëherësh medaljen e parë të artë, shtetit tonë në arenën ndërkombëtare në kategorinë e meshkujve, dhe Distria Krasniqi, me medaljen e bronztë në po të njëjtin kampionat, ia sjellin dhuratën më të mirë republikës sonë në ditëlindjen e saj të dhjetë. Urime të përzemërta Akilit, Distrisë, trajnerit Driton Kuka dhe të gjithë dashamirëve të sportit tonë. Krenar me sportistët tanë, ambasadorët më të mirë të Kosovës”, ka shkruar Thaçi.
Këtij suksesi të xhudistëve i është gëzuar edhe ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli.
“Në prag të 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës vjen lajmi i bukur nga Parisi. Akil Gjakova e ka fituar medaljen e artë në xhudon e meshkujve. Urime”, ka shkruar Pacolli në Facebook.