Sport

Testet finale para turneut të Kupës në basketboll

(KD) – Xhiroja e 21-të është e fundit e Superligës së Kosovës në basketboll para turneut final të Kupës, që zhvillohet në Gjakovë.

Kështu skuadrat e kanë rastin e fundit për të testuar formën para turneut që ofron trofeun e rëndësishëm. Ndeshjet e xhiros së 21-të zhvillohen të enjten, të premten e të shtunën. Për shkak të turneut të Kupës, të dielën nuk do të ketë ndeshje kampionale.

Peja – Bashkimi e hap xhiron e 21-të. Kjo ndeshje zhvillohet të enjten prej orës 19:00 në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren. Ndeshja është dashur të zhvillohej në “Karagaçi”, por është zhvendosur për në Prizren për shkak të problemeve teknike në palestrën në Pejë. Në Pejë do të luhet ndeshja e xhiros së 28-të, në të cilën Bashkimi është vendas.

Në Pejë është prishur semafori dhe për këtë arsye mezi u zhvillua ndeshja e Ligës Ballkanike me AEL-in qipriot, të martën. Peja e humbi atë ndeshje, që u ndërpre shumë herë.

“Para fillimit të ndeshjes ndaj AEL Limassol, ka pasur probleme elektrike në palestrën ‘Karagaçi’, që kanë dërguar deri në djegien e semaforëve. Falënderojmë ekipin e AEL dhe Ligën Ballkanike që përkundër mungesës së kushteve elementare pranuan që ndeshja të luhej në orarin e paraparë, për shkak të kalendarit super të ngjeshur. Iu kërkojmë falje të gjithë të pranishmëve për pritjet e stërzgjatura, por pas shumë tentativave nuk arritëm ta zgjidhnim problemin në kohë”, shkruan në një njoftim të Pejës.

Peja është e dyta në Superligë me 35 pikë, tri më pak se Trepça. Bashkimi renditet i gjashti me 27 pikë.

Të premten është derbi i madh mes Trepçës dhe Golden Eagle Yllit. Ylli është skuadra e fundit që ka mposhtur Trepçën. Mitrovicasit janë në seri prej 13 fitoreve kampionale dhe të premten në “Minatori” nga ora 19:00 e kërkojnë fitoren e 14-të rresht. Ylli i Suharekës është i katërti me 32 pikë.

Të premten prej orës 19:00 është edhe ndeshja Proton Cable Prizreni – Istogu.

Xhiroja e 21-të mbyllet të shtunën me ndeshjen Vëllaznimi – Sigal Prishtina. Vëllaznimi është i pesti me 29 pikë, ndërsa Prishtina renditet e treta me 33 pikë. Pritet numër i madh i tifozëve dhe atmosferë e zjarrtë në palestrën në Gjakovë.

Në palestrën “Shani Nushi” në Gjakovë zhvillohen edhe ndeshjet e turneut final të Kupës së Kupës. Ndeshjet për Kupë janë prej 13 deri më 17 shkurt.