Sport

Tërhiqet Teuta, Superkupa mbarëkombëtare me vetëm tri ekipe

Teuta - basketboll

Brenda ditës së hënë u lëshuan disa njoftime në lidhje me Superkupën Mbarëkombëtare në basketboll, turne që do të mbahet në mesjavë në palestrën “Minatori” në Mitrovicë. Në njoftimin e faqes zyrtare të Ligës Unike thuhej se në këtë turne, i cili i paraprin edicionit 2022/23 të ligës së përbashkët, do të paraqiteshin katër skuadra: Trepça, Golden Eagle Ylli, Tirana dhe Teuta.

Pak orë më vonë, në njoftimin e dytë, u paralajmërua spektakël, por me vetëm tri skuadra pjesëmarrëse. U njoftua se Teuta e Durrësit është tërhequr nga pjesëmarrja. Zyrtarisht Teuta nuk garon për shkak të problemeve shëndetësore të disa lojtarëve. Pas tërheqjes së Teutës, skuadra e Tiranës është kualifikuar direkt në finale. Tirana dhe Teuta është dashur të përballeshin në gjysmëfinalen e parë, të mërkurën prej orës 16:00, para se të lëshonin arenën për gjysmëfinalen e dytë ndërmjet Trepçës dhe Yllit (19:00). Tani do të luhet vetëm gjysmëfinalja mes skuadrave kosovare. Tirana pret në finale të enjten prej orës 20:00.

“Takimi i parë gjysmëfinal ishte paraparë të zhvillohej mes Teutës së Durrësit dhe Tiranës, megjithatë, skuadra durrsake ka probleme, pasi disa basketbollistë kanë probleme shëndetësore dhe kjo ndeshje nuk do të zhvillohet. Tirana kualifikohet direkt në finale. Finalja e madhe do të zhvillohet të enjten nga ora 20:00 në Mitrovicë, ku pritet një spektakël që nuk është parë deri më tani”, thuhej ndër të tjera në njoftimin e Ligës Unike.

Trepça në këtë turne do të paraqitet si fituese e Kupës së Kosovës, ndërsa Ylli si kampion i Kosovës. Tirana është fituese e Kupës së Shqipërisë, ndërsa Teuta duhej të paraqitej si kampione e Shqipërisë. Por durrsakët kanë hequr dorë. Edhe gjatë edicionit të kaluar në Ligën Unike, Teuta nuk ishte paraqitur në një ndeshje që megjithatë ishte luajtur më vonë.

Nga FBK-ja kanë thënë se pas konsultimeve mes dy federatave është vendosur që Superkupa Mbarëkombëtare të luhet me tri skuadra.

“Nëpërmjet emailit jemi njoftuar nga skuadra e Teutës se nuk mund të marrin pjesë për shkak të problemeve shëndetësore të disa lojtarëve. Ky është njoftimi zyrtar që e kemi marrë nga Teuta”, ka thënë sekretarja e përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku, të hënën. “Pas konsultimeve mes dy federatave gjatë ditës morëm vendim që të shkojmë me tri ekipe”.

Sezoni 2022/23 në Ligën Unike ende nuk ka filluar. Pritet të startojë këtë muaj, ndërsa edhe këtë herë do të paraqiten tetë ekipe, katër nga Kosova dhe katër nga Shqipëria.