Në selinë e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK-së), të premten është bërë tërheqja e shortit për gjysmëfinalen e Kupës së Kosovë futboll në konkurrencën e femrave.
Të pranishëm në tërheqjen e shortit ishin përfaqësuesit e klubeve pjesëmarrëse në këtë fazë të garave, si dhe kryetarja e Komisionit për futbollin e femrave, njëherësh anëtarja e KE të FFK-së, Vjollcë Krasniqi dhe përgjegjësja e futbollit të femrave, Valbona Gashi-Uka, raporton televisioni publik.
Para tërheqjes së shortit, Vjollca Krasniqi i përgëzoi klubet pjesëmarrëse për arritjen në këtë fazë të garave dhe kërkoi që edhe në vazhdim të mbizotërojë organizimi sa më i mirë dhe “fair-play”, në mënyrë që gjithçka të përmbyllet në mënyrën më të mirë të mundshme.
Në fund, pas tërheqjes së shortit u vendosën edhe çiftet gjysmëfinale, ku do të takohen: Mitrovica – Kosova (P) dhe Malisheva – Hajvalia.
Ndeshjet zhvillohen me sistem vajtje-ardhje, kurse ndeshjet e para janë paraparë të luhen në mesjavën e ardhshme.