Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Tentimi dhjetëvjeçar i Usykut për ta rrëzuar Joshuan

Boksieri nga Ukraina, Oleksandr Usyk, ishte 24 vjeç, pranë zenitit të karrierës së tij amatore, duke shkuar në Kampionatin Botëror në Baku. Tre vjet më herët ai kishte fituar medaljen e artë në Kampionatin Evropian duke ndezur Liverpoolin, pastaj kishte shkuar në Lojërat Olimpike të Pekinit. Dy vjet më herët, ai fitoi të bronztën në Botërorin paraprak. Deri në këtë pikë, Usyk ishte një luftëtar me reputacion.

“Usyk kishte një reputacion atëherë. Shumë njerëz nëse nuk do të përgatitnin boksierët për luftën e ardhshme, do të shkonin dhe do ta shikonin atë”, tha Paul Walmsley, dikur trajner në ekipin britanik, i cili e çoi Anthony Joshuan në Baku.

Joshua ishte akoma një djalë 21-vjeçar. Me fizik të shkëlqyer, por të papërpunuar dhe i ngarkuar me naivitet rinor. Vetëm tre muaj para Botërorit në Baku, Joshua humbi nga Mihai Nistor.

“Nuk pritej shumë nga Joshua, të them të drejtën. Ishte më shumë përvojë për të në atë nivel, vetëm për të parë se si ai e përballon. Nuk kishte presion mbi të dhe atij iu kujtua kjo gjatë gjithë kohës”, pranon Walmsley.

Fitorja që bëri bujë ishte ajo e Joshuas kundër Roberto Cammarellet, italianit që ishte kampion në fuqi botëror në amatorizëm dhe kampion olimpik.

Edhe Usyk çimenton statusin si boksieri më i mirë i kategorisë së rëndë i gjeneratës së tij Luftarake Usyk çimenton statusin si boksieri më i mirë i kategorisë së rëndë i gjeneratës së tij

“Joshua kishte hyrë vonë në boks, kështu që ishte akoma pak i papërpunuar, fillestar. Pasi mbaroi ajo luftë me Cammarellen, mendova se ai kishte arritur atje. Ai kishte taktikën. Ai po tregonte shenja se ishte i veçantë”, thotë Walmsley.

Joshua mundi edhe Erik Pfeiferin për t'u kualifikuar në finalen e kategorisë së rëndë, që përfshinte boksierët si Erislandy Savon, Joseph Parker, Tony Yoka dhe Filip Hrgoviq.

Ndërkohë, një kategori më poshtë, Usyk po marshonte drejt luftës për medaljen e artë, duke e rrëzuar Artur Beterbievin gjatë rrugës.

“Salla ishte sa madhësia e një fushe futbolli, ku çdo ekip hynte atje, zinte disa vende dhe kërkonte një zonë të vogël për t’u ngrohur. Aty mund t’i shihje Joshuan dhe Usykun duke u ngrohur”.

Sipas tij, Usyku kishte një karakter shumë të fortë dhe vazhdimisht ishte i zhurmshëm.

“Ai kishte karakter në zhveshtore. Vraponte nëpër korridor duke kënduar, kërcyer dhe bërtitur. Ishte shumë energjik, por gjithashtu edhe një boksier fantastik”, shton Walmsley.

Kur pyetet për kujtimin e tij të parë për Joshuan, Usyku ndizet dhe buzëqesh.

“E mbaj në mend shumë mirë. Joshua humbi luftën e tij të fundit kundër Mahommedrasul Majidovit. Ishte një finale e mirë, e shikova drejtpërdrejt”, shprehet Usyku, i cili i mban në mend fjalët që ia kishte thënë ekipit të tij për Joshuan. “Unë i thashë ekipit tim se ky djalë është kampioni i ardhshëm olimpik dhe vitin tjetër, Anthony ishte kampion olimpik. Pse e mendova këtë? Unë pashë luftën e tij. Unë pashë Anthonyn. Unë e pashë atë të përparonte vazhdimisht”.

Parashikimi i Usykut për Joshuan

Gjëja interesante është se Usyku e parashikoi ngritjen e shpejtë të Joshuas, pavarësisht se e shihte atë duke humbur. Kundërshtari i Joshuas në finale, Majidov, ishte një boksier lokal i Bakus. Usyku, deri në këtë pikë, kishte fituar tashmë një medalje të artë.

Treqind ushtarakë rrethuan ringun në mbështetje të Majidovit.

“Kishte një atmosferë”, kujton Walmsley. “Përveç Olimpiadës së Londrës, kjo është zhurma më e fortë që kam dëgjuar ndonjëherë në jetën time në boks. Zhurma ishte e pabesueshme. Isha shumë nervoz për Joshuan sepse Majidov është pak një përbindësh. Aty ku ishim ulur, duhet të ketë qenë 6 metra larg ringut, unë bërtisja tërë kohën por Joshua nuk më dëgjonte sepse ishte problem nga atmosfera e krijuar”.

Askush nuk ishte më i impresionuar se Usyku me paraqitjen e Joshuas në atë finale të humbur.

“Usyku padyshim duhet të ketë parë diçka të veçantë atje. Unë jam pak i befasuar që Usyk studioi Joshuan, duke pasur parasysh dallimin në peshë”, shton Walmsley.

Ylli i boksit, Joshua, nuk është në dijeni se ukrainasi Usyk kishte përcjellë lëvizjet e tij në Baku.

“Nuk besoj, sepse kurrë nuk më ka përmendur një gjë të tillë. Mund të ndodhë”, tha Joshua.

Parashikimi i Usykut për suksesin e Joshuas do të vërtetohej një vit më vonë në Lojërat Olimpike të Londrës (2012). Të dy fituan medalje të arta dhe përsëri kishte diçka në lidhje me Joshuan që Usyk vazhdoi të monitoronte.

“Unë kam parë të gjitha luftërat e tij”, insiston Usyk, tani 34-vjeçar.

Futja e Usykut në radarin e britanikut

Magjepsja e Usykut nuk do të thoshte se ai ishte duke e parë Joshuan si një kundërshtar të ardhshëm.

Edhe Joshua: Pos Usykut më mposhtën edhe emocionet Sport Joshua: Pos Usykut më mposhtën edhe emocionet

Në vitet e ardhshme shtigjet e tyre nuk u kryqëzuan kurrë - Joshua u bë dy herë kampion botëror i kategorisë së rëndë, ndërsa Usyku ishte kampion i padiskutueshëm në kategorinë kruzer (kategoria menjëherë pas të rëndës). Ndërkohë edhe Joshua e futi Usykun në radarin e tij.

“Ne së pari e shikuam Usykun së bashku një mbrëmje gjatë kampit stërvitor të Joshuas, kur ai fitoi trofeun Muhammad Ali”, tha David Ghansa, pjesë e ekipit të Joshuas.

“Nuk mund të besoja sa i mirë ishte Usyku - aq i lehtë në këmbë, duke goditur për 12 raunde. Këtu edhe Usyku u fut në radarin e Joshuas. Madje, më vonë u takova me Usykun në New York dhe i thashë që ne e njohim atë shumë mirë. Kështu që nuk është për t’u habitur që tani jemi këtu, sepse ata nuk janë të huaj për njëri-tjetrin”.

Momenti që ndryshoi rrjedhën e këtij rivaliteti të zhurmshëm ishte në vitin 2018, pas një nokauti të Joshuas. Në atë meç kishte vetëm një fytyrë pa shprehje gëzimi në turmë. Ishte një i mbuluar nga një kapuç i errët, me sytë e fiksuar te Joshua. Në fakt, ai ishte tërësisht i përqendruar te boksieri britanik. Ishte vështrimi i njëjtë që ia kishte bërë edhe vite më parë.

“Sigurisht që më kujtohet. Joshua po luftonte në Londër në ‘Wembley’ me Alexander Povetkinin. Mbaj mend që ai më bëri një shenjë. Unë mendoj se ai më vuri re në turmë. Ai tundi dorën ndaj meje. Isha plotësisht i sigurt se djemtë e mirë si ne duhet të luftonin me njëri -tjetrin”, thotë Usyku. “Kisha gjëra të tjera në mendjen time - punën time, familjen time, gruan time, fëmijët e mi. Ai nuk ishte në mendjen time. Por unë kisha një qëllim për të luftuar me të”.

Mirëpo, pse Joshua ka qenë gjithmonë obsesioni i Usykut dhe jo Tyson Fury? Arsyeja është jashtëzakonisht e thjeshtë.

“Sepse ai është kampion olimpik”, insiston Usyku.

Përfshirja e Wladimir Klitschkos në këtë luftë mes dy të mbrojturve të tij është e pazakontë. Klitschko e mori Joshuan nën krahun e tij shumë kohë para se i riu të përfundonte karrierën e ikonës ukrainase në përballjen e tyre klasike në stadiumin “Wembley”. Dhe Usyku, shoku ukrainas i Klitschkos, është nën menaxhimin e kompanisë “K2” në të cilën ishin përfshirë të dy vëllezërit Klitschko.

“Kur u njoftua meçi me Usykun, Klitschko i tha Joshuas: ‘Unë ju dua të dyve, fat të mirë, mund të fitojë më i miri’. Klitschko mohoi çdo përfshirje. Unë besoj se ai është një person që nuk dëshiron të përfshihet”, shpjegon Ghansa.

Usyku nuk mendon sikurse Ghansa. Ai insiston se vazhdimisht flet me Klitschkon.

“Gjërat që i diskutojmë janë private. Unë vazhdoj të flas me të”, zbulon Usyku.

Usyku thotë se tani Joshua është dukshëm më i mirë, sesa kur e kishte parë duke boksuar në Baku para një dekade. Sipas Usykut, Joshua është përmirësuar shumë në aspektin taktik dhe është një boksier tërësisht i pjekur. Usyku thotë se edhe ai vetë ka ndryshuar që nga atëherë.

“Tani kam fëmijë, jam baba”, thotë Usyku.

Të paktë janë ata që e kanë pritur një duel mes Joshuas e Usykut.

“Asnjëherë, në një milion vjet, për shkak të dallimit që e kishin në peshë”, thotë Paul Walmsley që beson se Joshua do të dalë fitues nga meçi i 25 shtatorit në stadiumin e Tottenhamit.

“Unë dyshoj se Joshua do të ketë punë të lehtë si zakonisht, por besoj se do të fitojë. Unë mendoj se ai tashmë ka punuar shumë në shpejtësi, Usyku është një boksier që lëviz shumë. Do të jetë një meç i vërtetë boksi dhe fantastik”.

Vasiliy Lomachenko ngriti një vetull kur u pyet se cili do të fitojë: “Oleksandr është shumë më i shpejtë”.

Anatoly Lomachenko, i cili udhëhoqi djalin e tij dhe Usykun drejt medaljes së artë olimpike, është përsëri në qoshen e Usykut.

“Babai i tij nuk do të stërviste askënd tjetër, por ai do të stërviste Usykun, sepse Usyku është si një anëtar i familjes”, ka thënë promotori Bob Arum.

Usyku gjithmonë vesh një bluzë të Muhammad Alisë, pasi Ali ishte i njohur që i mposhtte boksierët më të mëdhenj se ai. A do të jetë shpejtësia e tij çelësi?

Edhe Joshua i jep respekt Usykut, fjalimin e mbyll me fjalën “bismilah” Sport Joshua i jep respekt Usykut, fjalimin e mbyll me fjalën “bismilah”

“Do të shohim”, thotë Usyku. “Deri në një mënyrë besoj se shpejtësia ime do të jetë vendimtare në triumfin ndaj Joshuas”.

Kur Usyku të dalë përballë Joshuas më 25 shtator do të vuloset përfundimisht përgatitja e tij dhjetëvjeçare për ta mposhtur britanikun, i cili i kishte rënë në sy që në Baku. Meçi është i vlefshëm për titujt e botës në versionet WBA Super, IBF, WBO dhe IBO të kategorisë së rëndë.