Boksieri Anthony Joshua është zotuar se do të jetë “më i mirë”, pasi pranoi se humbi kontrollin e emocioneve pas disfatës nga Oleksandr Usyk.
Joshua hodhi jashtë ringut rripat e titujve të botës të Usykut dhe u largua nga ringu pas humbjes me pikë nga ukrainasi Usyk, të shtunën mbrëma në Jeddah të Arabisë Saudite.
Ylli britanik i boksit u kthye më pas në ring, ndërsa e bëri edhe më të rëndë gjendjen. Ai mbajti një fjalim të jashtëzakonshëm, për të cilin është kritikuar nga shumë njerëz.
Ukrainasi Oleksandr Usyk fitoi me vendim të ndarë të gjyqtarëve (2:1) dhe kështu mbajti titujt e botës në kategorinë e rëndë në versionet IBF, IBO, WBA dhe WBO.
Joshua ka bërë shumë veprime të pazakonta në ring në Jeddah, ndërsa të dielën mbrëma përmes një postimi në rrjete sociale, është munduar të sqarojë se si ndihej.
Joshua ka uruar Usykun dhe i ka dëshiruar sukses në rrugën e tij drejt madhështisë. Ukrainasin e ka vlerësuar kampin me klas.
“Mbrëmë më është dashur të futem mendërisht në një vend të errët për të garuar për rripat e kampionit. Kam pasur dy luftëra, një me Usykin dhe një me emocionet e mia. Dhe të dy më kanë mposhtur”, ka shkruar Joshua.
Edhe
Joshua i jep respekt Usykut, fjalimin e mbyll me fjalën “bismilah”
“Unë do të jem i pari që do ta pranoj, e kam zhgënjyer veten. Kam vepruar pa kontroll nga pasioni i pastër dhe nga emocioni. Dhe kur nuk kontrollohesh, nuk është mirë. Unë e dua këtë sport kaq shumë dhe do të jem më mirë që nga ky moment. Respekt”, ka shkruar Joshua.
Ai tani ka 24 fitore e tri humbje. Dy prej humbjeve i ka nga Usyku. Një tjetër e kishte pësuar nga Andy Ruiz, të cilit më pas iu revanshua. Por revanshi me Usykun nuk ishte i suksesshëm dhe pas meçit Joshua bëri veprime të pakontrolluara.
Usyk ka shënuar fitoren e 20-të në karrierë, ndërsa ka kërkuar meç me Tyson Furyn për unifikim të titujve të botës në kategorinë e rëndë.