Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Tensione në ndeshjen Rahoveci – Ponte Prizreni, ndërpritet ndeshja

Një minutë e 24 sekonda pa përfunduar çereku i tretë i ndeshjes Rahoveci – Ponte Prizreni, ka pasur tensione në parket mes tifozëve vendas dhe lojtarëve mysafirë. Ndeshja është ndërprerë, ndërsa lojtarët e Prizrenit kanë braktisur sallën.

Kjo ndeshje po zhvillohet në palestrën “Mizahir Isma” në Rahovec dhe i takon xhiros së pestë të Superligës së basketbollit të Kosovës.

Tifozë të ekipit vendës u afruan afër bankës ku ishin lojtarët mysafirë. Mes tyre pati edhe përleshje e u panë edhe hedhje të gjësendeve. Para këtij sulmi, ndeshja u ndërpre për shkak të hudhjeve ndaj amerikanit të Ponte Prizrenit, Dashon Burke.

Si rezultat i incidentit, ndeshja mes Rahovecit e Ponte Prizrenit është ndërprerë dhe është duke u pritur për vendimin përfundimtar.

E gjithë situata në palestër u elektrizua kur Burke pasi shënoi një treshe mbi Musab Malën dhe provokoi ndaj tij për t’u ndëshkuar me gabim teknik. Kjo solli një elektrizim dhe si pasojë, u ndëshkuan me gabime teknike edhe Bardh Rexha i Rahovecit e trajneri Muhamed Thaqi. Aktualisht, rezultati është 63:58 në të mirë të Ponte Prizrenit.