Derisa niveli më i lartë i tenisit profesionist është pezulluar shkaku i pandemisë COVID-19, tenisi do të kthehet të premten, me një turne ekzibicional në Gjermani, që do të transmetohet direkt në televizion, shkruan agjencia Reuters.
Seria Tennis Point, pjesë e Exo Tennis Series, në të cilën do të marrë pjesë edhe Dustin Brown, do të luhet pa tifozë, pa gjyqtarë të vijës, pa mbledhës të topave dhe nuk do të ketë shtrëngime të duarve mes lojtarëve. Por, do të ketë kamera televizive. Turneu do të luhet në qendrën “Base Tennis” në afërsi të Koblenzit.
“Në Base Tennis, ne i bëjmë vetes një pyetje të thjeshtë: Çfarë mund të bëjmë sot që do të ndihmonte komunitetin e tenisit?” thotë drejtori Ruben Herrera. “Ne duam të sjellim gëzimin e kthimit të tenisit në jetët e njerëzve dhe kjo është edhe arsyeja prapa organizimit të turneut. Është rritur përtej pritjeve tona fillestare fal partnerëve tanë të mëdhenj dhe tenistëve që i janë bashkuar iniciativës”.
Çdo turne do të zgjasë katër ditë dhe do të marrin pjesë tetë tenistë në format grupor, ku secili do të luajë nga dy ndeshje në ditë. Ndeshjet do të përdorin formatin e njëjtë që u aplikua në turneun e ATP-së Next Gen në Milano. Do të luhet në tri sete të shkurtuara, ku do të luhet ‘tie-break” te rezultati 3:3 në geme.
Masa strikte do të aplikohen ku lojtarët do të qëndrojnë në anë të kundërta gjatë ndërrimit të pozitave në fushë, nuk do të ketë shtrëngim duarsh në fund, ndërsa lojtarët kanë “hapësirën” e vet për pushim dhe për përgatitje për ndeshje.,
Nuk do të ketë rregulla të veçanta sa i përket kapjes së topit.
Tifozët do të kenë mundësi të shohin tenis nëpërmjet televizorit, por edhe në internet.
Dustin Brown, që kishte eliminuar Rafael Nadalin në vitin 2015 në raundin e dytë të Wimbledonit, do të jetë më i njohuri në këtë turne. Ai është në vendin e 239-të në renditje botërore. Por, nuk do të jetë më i ranguari.
Gjermani Yannick Hanfmann ka këtë nder, pasi është numër 143.
“Pasi që seritë më të mëdha ATP dhe WTA janë pezulluar, jam i lumtur që kam mundësi të garojë këtu. Kur më telefonuan, nuk mendova dy herë. Po shikoj para të bëjë atë që dua”, ka thënë Brown.
Në turne do të garojnë edhe britaniku Jan Choinski, gjermani Daniel Altmaier.
Nuk është njoftuar se sa do të jetë fondi i shpërblimeve. Turneu do të jetë në faqe online të basteve, por do të monitorohet nga Sportradar.
Tenisi profesionist është pezulluar në mes të marsit shkaku i pandemisë.