Të mërkurën fillon Kampionat Evropian i karatesë për seniorë. Evropiani mbahet në Guadalajara të Spanjës, ndërsa me shumë mundësi do të mbahet pa Kosovën pjesë të tij.
Në Evropian është dashur të garojnë shtatë karateistë të Kosovës. Por ata nuk janë përfshirë në shortin për Evropian. Dhe kjo e bën thuajse të pamundur pjesëmarrjen e karateistëve kosovarë në ngjarjen kryesore kontinentale.
Burime të KOHËS kanë bërë të ditur se autoritetet spanjolle kanë pamundësuar paraqitjen e karateistëve të Kosovës me simbole shtetërore.
Karateistët kosovarë janë tashmë në Guadalajara, por rrezikojnë që të mbesin jashtë Evropianit.
KOHA ka kontaktuar me drejtuesit e Federatës së Karatesë së Kosovës por nuk ka pranuar ende përgjigje.
Javë më parë karateistët kishin mbetur jashtë Evropianit për të rinj, të mbajtur në Qipro. Autoritetet qipriote kishin kushtëzuar paraqitjen e Kosovës me heqjen dorë nga simbolet. Kjo nuk ishte pranuar nga përgjegjësit e karatesë kosovare.
Spanja, ashtu si Qipro nuk e njeh shtetin e Kosovës.
Por në vitin 2019 pikërisht në Guadalajara ishte mbajtur Evropiani për seniorë. Dhe në atë Evropian, Kosova ishte paraqitur e barabartë dhe me të gjitha simbolet.
Ka pasur telashe për përfaqësuesen e karatesë edhe para udhëtimit për në Spanjë. Spanja nuk kishte lëshuar viza dhe kështu ekipi kishte pësuar ndryshime të shumta. Udhëtuan vetëm ata që kishin viza shëngen apo pasaporta të vendeve tjera.