Një shkrim të gjatë ia ka kushtuar Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) të dielën talentit kosovar, Adrion Pajaziti. Mesfushori i Shpresave të Shqipërisë ka rrëfyer hapat e parë në futboll, krahasimin me legjendën e Kroacisë dhe Realit, Luka Modriq, dhe ëndrrat që ka me Shqipërinë.
Mesfushori 20-vjeçar ka luajtur tri ndeshje me fanellën e Kosovës U21, por më pas vendosi të luajë për Shqipërinë U21. Synon të luajë edhe me ekipin A të Shqipërisë.
“Që i vogël, siç më tregojnë prindërit, kam qenë gjithmonë me topin në duar e këmbë duke luajtur nëpër shtëpi. Poshtë banesës kemi pasur një fushë të vogël, ku luanim të gjithë fëmijët e lagjes. Pasi mbaroja mësimin në shkollë, lija çantën në shtëpi dhe luaja aty deri kur errësohej dhe më thërriste nëna. Kam shtyrë veten drejt këtij sporti, por edhe familja që më kanë regjistruar në klub futbolli”, ka thënë Pajaziti për FSHF-në.
Ai thotë se ka pasur mbështetjen e madhe të prindërve dhe motrës. Tregon se e kanë përcjellë rregullisht në stërvitje dhe ndeshje.
Pajaziti kujton edhe debutimin me Shpresat e Shqipërisë.
“Jam ndier shumë, shumë i kënaqur, shumë krenar, kur kam luajtur herën e parë me Shqipërinë U21. Luajtëm në shtator në Kroaci ndaj Maqedonisë së Veriut dhe Kroacisë. Kam shënuar menjëherë gol. Ishte ndjenjë e bukur, krenari, shumë emocion. Më pëlqen shumë kur luaj me Kombëtaren”, është shprehur Pajaziti.
Adrion Pajaziti transferohet te Hajduku i Splitit
Ai po tregohet i suksesshëm me ekipin U-21 të Shqipërisë. Në pesë ndeshje prej shtatorit të vitit të kaluar e tutje ka shënuar katër gola.
Adrion Pajaziti është i huazuar te Haugesund i Norvegjisë nga Fulhami anglez. Për ekipin e parë anglez pati debutuar në gusht të vitit 2021. Me Fulhamin ka kontratë deri në qershor të vitit 2025.
Pajaziti e cilëson si momentin më të mirë në karrierë debutimin me fanellën e Fulhamit.
“Arritja për të cilën ndihem më së shumti krenar deri tani është momenti i debutimit me Fulham kur isha 18 vjeç. Luajta 90 minuta dhe u paraqita mirë. Kam qenë te Fulhami që në moshën 10-vjeçare, i kam kaluar krejt moshat aty. Familja ishte në stadium dhe kënaqësia ishte shumë e madhe të luaja para tyre”, thotë kosovari.
Ai tregon edhe për krahasimin që i bëhet me mesfushorin e Realit, superyllin Modriq.
“Që i vogël më kanë krahasuar me Luka Modriqin. Nuk kam shumë qejf të flas për veten, por unë besoj se jam lojtar teknikisht i mirë, që provoj të marr topin sa më shumë, të kontrolloj ritmin e ndeshjes, të kombinoj me shokët e skuadrës. Jam i mirë në driblime dhe mundohem që cilësitë që kam t’i përdor në ndeshje për të shënuar dhe asistuar për ekipin tim”, ka thënë Pajaziti.
Edhe
Grumbullohen kuqezinjtë, Pajaziti i gatshëm për debutim
Ai pret që shpejt të debutojë edhe me Shqipërinë A e po ashtu edhe në Ligën e Kampionëve.
“Kombëtarja ka një të ardhme të mirë. Edhe Kombëtarja A, edhe Shqipëria U21 kanë shumë lojtarë që luajnë në kampionate të rëndësishme evropiane dhe të cilët kanë cilësi. Besoj se në këto kualifikuese do të bëjmë një punë të mirë, shpresoj ta çojmë Shqipërinë në kampionat evropian. Për mua, që kur kam qenë i vogël ëndrra ka qenë të luaj në Ligën e Kampionëve. Është gara më e mirë, e kam ndjekur gjithmonë. Liga e Kampionëve e ka një lloj magjie dhe ky është synimi im më i madh në futboll”, ka thënë Pajaziti.