Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Te Reali, të lumtur që janë në garë për ndeshjen e kthimit

Real Madridi po mbante gjërat pozitive nga ndeshja e parë kundër Manchester Cityt, të cilën ishte afër ta humbte me rezultat të thellë, por qëndroi i gjallë në fazën gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve. Reali Madridi humbi 4:3 në ndeshjen e parë në Angli të martën, por ishte një nga ato humbje që lejuan disa festime për lojtarët e ekipit spanjoll. City i Pep Guardiolës kishte shumë raste për t’i dhënë fund çështjes së fituesit të kësaj serie, por në vend të kësaj Reali gjeti një mënyrë për të luftuar dhe shkon në ndeshjen e dytë të javës së ardhshme në stadiumin “Santiago Bernabeu” vetëm me një gol më pak.

“Asnjëherë nuk je i lumtur kur humbet, por ne i kemi edhe 90 minuta përpara për të bërë diferencën në Bernabeu”, tha sulmuesi i Madridit, Vinícius Junior, i cili shënoi një nga golat për fuqinë spanjolle.

Karim Benzema shënoi golat e tjerë, teksa Madridi kishte mbetur me dy gola disavantazh tri herë në “Etihad Stadium”.

“Ndeshja tjetër do të jetë ndryshe”, tha Vinicius. “Jam shumë i kënaqur me karakterin e ekipit. Ne ishim në disavantazh 2:0 kundër një ekipi jashtëzakonisht të mirë dhe dolëm me kokën lart dhe të gatshëm për të bërë një paraqitje të mirë në ndeshjen e kthimit”.

Real Madridi thjesht nuk do të largohet këtë sezon, pasi tashmë e ka dëshmuar veten në Ligën e Kampionëve kundër Paris Saint-Germainit në 1/8 e finales dhe kundër kampionit në fuqi, Chelseat, në çerekfinale. Te Reali e kanë parasysh se duhet të bëjnë shumë më mirë në ndeshjen e kthimit për të arritur në finalen e parë të Ligës së Kampionëve që nga triumfi i fundit në vitin 2018.

“Ne duhet të qëndrojmë të qetë dhe të përmirësojmë paraqitjen tonë nëse duam të kalojmë në finale”, tha Vinicius. “Ne duhet të përmirësohemi shumë në të gjitha aspektet dhe ta fillojmë ndeshjen më mirë, në mënyrë që të mos pranojmë gola të hershëm që e bëjnë të vështirë për ne rikuperimin”.

Real Madridi ishte në disavantazh 2:0 deri në minutën e 11-të të martën mbrëma dhe trajneri Carlo Ancelotti tha se ekipi do të duhet të mbrohet më mirë javën e ardhshme. Tekniku italian paralajmëroi se në ndeshjen e kthimit Reali do të jetë më i përqendruar në mbrojtje për të mos pranuar gola të lehtë.

“Ne e nisëm ndeshjen shumë keq. Ne ishim shumë të butë”, tha ai. “Do të jetë shumë e rëndësishme të përmirësohemi në mbrojtje në ndeshjen e kthimit. Unë kam një skuadër me shumë përvojë që ruan gjakftohtësinë kur gjërat bëhen të vështira. Këta lojtarë kanë qenë në shumë ndeshje si kjo dhe nuk dorëzohen kurrë. Ata gjithmonë e mbajnë kokën lart”.

Ancelotti tha se nuk pret një tjetër ndeshje intensive sikurse ndeshja e parë, ku të dy skuadrat kishin raste të rëndësishme shënimi. Gjithashtu ka shtuar se pret edhe ndihmën e tifozëve për një tjetër mbrëmje magjike sikurse me PSG-në e Chelsean.

“Do të jetë një ndeshje ndryshe”, pranoi Ancelotti. “City ka avantazhin dhe duhet ta kemi parasysh këtë. Shpresoj që tifozët tanë të kërkojnë një paraqitje më të mirë nga ne që të arrijmë në finale. Tifozët tanë duhet të jenë gati sepse ne do të luftojmë për ta bërë një natë tjetër magjike”.

Madridi shpreson për rikthimin e tretë rresht në Ligën e Kampionëve në stadiumin “Santiago Bernabeu”, për të mbetur në garë për trofeun e 14-të të Evropës. Kundër PSG-së, iu desh një “hat-trick” në pjesën e dytë nga Benzema pasi humbi ndeshjen e parë 1:0 dhe pësoi një gol në fillim të ndeshjes së kthimit. Më pas, ishte duke humbur 3:0 në shtëpi në ndeshjen e dytë kundër Chelseat, kur shënoi dy gola për t'u rikuperuar, përfshirë njërin në vazhdime, për të avancuar në rezultatin e përgjithshëm 5:4. Golin vendimtar e shënoi Benzema, i cili po kalon sezonin më të mirë dhe tashmë është golashënuesi më i mirë i Ligës së Kampionëve me 14 gola të realizuar.

“Mrekulli pas mrekullie”, ishte ballina e faqes së parë të përditshmes sportive “Marca” të mërkurën. “Real Madridi qëndron i gjallë në Manchester dhe gjithçka do të vendoset në Bernabeu”.

Artikuj të ngjashëm