Sport

Te Prishtina besojnë se mund ta shkrijnë epërsinë e katër pikëve të Dritës

Kanë mbetur edhe gjashtë xhiro deri në fund të këtij edicioni në Superligën e Kosovës në futboll, që vazhdoi gjatë muajit qershor pas pauzës prej gati tre muajve shkaku i përhapjes së pandemisë së koronavirusit. 

E kur kanë mbetur edhe gjashtë ndeshje deri në fund, Prishtina është katër pikë prapa Dritës, që prin në klasifikim. Por, te skuadra “bardh e kaltër” janë të bindur se mund ta shkrijnë epërsinë prej katër pikëve të Dritës, për ta fituar në fund titullin e kampionit, transmeton KOHA.

Prishtina është në vendin e dytë me 54 pikë, kurse Drita është e para me 58 pikë të tubuara. Prishtina është një nga skuadrat më në formë që pas vazhdimit të kampionatit që u pezullua në mars, pasi ka gjashtë fitore e një barazim në shtatë ndeshjet e fundit. 

Në total, në 27 ndeshje ka shënuar 18 fitore, katër barazime dhe pesë humbje. Trajneri i Prishtinës, Armend Dallku, ka thënë se gara për titull të kampionit këtë edicion do të jetë deri në fund. Por, ai ka shtuar se skuadra që do t’i menaxhojë më së miri gjashtë ndeshjet e mbetura deri në fund do ta fitojë titullin.