Përfaqësuesja e Kosovës “peshon” gati 30 milionë euro më shumë sesa Maqedonia e Veriut, bazuar në uebfaqen e specializuar për transferime “Transfermarkt.de”. Por te skuadra e vendit fqinj vlerësojnë se do të ishte dështim i madh për ta nëse nuk eliminojnë “dardanët” në ndeshjen gjysmëfinale të plejofit të Ligës së Kombeve, që luhet më 26 mars në Shkup.
Ekipi i Kosovës aktualisht ka vlerë 86.5 milionë euro, kurse i Maqedonisë së Veriut 57.9 milionë euro. Në fakt, vetëm sulmuesi i Kosovës, Milot Rashica (35 milionë euro) kushton më shumë sesa gjysma e ekipit të Maqedonisë së Veriut, që dy lojtarët më me vlerë i ka mesfushorët Elif Elmas (17 milionë) e Enis Bardhi (15 milionë), shkruan sot Koha Ditore.
Pavarësisht vlerës në treg, te Maqedonia e Veriut e shohin si detyrë mposhtjen e Kosovës më 26 mars në stadiumin “Toshe Proeski” në Shkup. Legjenda e këtij shteti, ish-sulmuesi Darko Pançev, që është shpallur edhe futbollisti më i mirë i shekullit të kaluar në Maqedoninë e Veriut, ka insistuar se do të ishte dështim nëse nuk do të mposhtej Kosova. Fituesi i kësaj gjysmëfinaleje, në finale do të luajë kundër fituesit të gjysmëfinales tjetër ndërmjet Gjeorgjisë dhe Bjellorusisë. Finalja e Ligës së Kombeve do të zhvillohet më 30 mars dhe fituesi kualifikohet në “Euro2020”.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)