Të dielën në Suharekë do të zhvillohet derbi i xhiros së 23-të të Superligës së Kosovës në futboll. Lideri Ballkani do ta pretë Llapin e vendit të katërt.
Ballkani është në seri prej katër fitoreve në pranverë. Ndërsa Llapi ka tri fitore dhe një barazim.
Për Llapin kjo ndeshje mund të jetë vendimtare sa i përket luftës për titull. Llapjanët kanë 39 pikë, gjashtë më pak se Ballkani.
Në rast se Ballkani shënon fitore do të shkonte në plus nëntë pikë në krahasim me Llapin dhe skuadra e Tahir Batatinës do të mbetej prapa në garë për titull.
Trajneri Batatina e pranon se ndeshja ndaj Ballkanit është shumë e rëndësishme për ekipin që drejton. E cilëson ndeshje kryesore për t’i futur në garë për titullin e kampionit.
“Është ndeshja kryesore për Llapin, por nuk do të thosha që vendos gjithçka, pasi kampionati është i gjatë. Janë edhe 14 xhiro, janë në lojë edhe 42 pikë. Sigurisht, çfarëdo që të ndodhë në këtë takim, ne do të luftojmë për titull derisa na lejojnë matematikat. Nëse arrijmë fitore në Suharekë, atëherë do të jemi seriozisht në valle për titull të kampionit”, tha Batatina për KOHËN, të enjten.
Batatina pohon se jo vetëm kundër Ballkanit, por në çdo ndeshje Llapi hyn për të fituar. Ai e pranon se do të jetë duel i vështirë ai me Ballkanin, si dhe konfirmon se lojtarët do të motivohen me premi.
“Ne edhe kur humbim luajmë futboll të bukur dhe atraktiv. Llapi nuk i frikësohet askujt. Llapi qe një kohë të gjatë ka punuar që të formojë këtë ekip. Lojtarët e rinj që iu kam besuar tani po vijnë në shprehje. Ne hyjmë për fitore në çdo ndeshje, ne nuk kalkulojmë, ne nuk mbrohemi si disa skuadra të tjera. Jo vetëm ndaj Ballkanit, por në çdo ndeshje futbollistët e Llapit janë të motivuar me premi. Kryesia iu rri afër lojtarëve. Llapi është shumë korrekt edhe me paga. Nga data 1 deri 3 për çdo muaj lojtarët i marrin pagat”, deklaroi Batatina.
“Kemi 14 ndeshje radhazi pa humbje. Edhe ne, por edhe Ballkani po kalojmë formë të mirë. Jemi dy skuadra që luajmë futboll të bukur dhe atraktiv. Ne kemi sulmin më të mirë në Superligë me 38 gola të shënuar dhe kjo është shumë pozitive për skuadrën që drejtoj”.
Ai thotë se faza e fundit, kur edhe mund të përcaktohet titulli i kampionit, e favorizon Llapin.
“Ndeshjet e fazës së fundit, ndaj Ballkanit, Gjilanit dhe Dritës, pra rivalëve direkt për titull, do t’i luajmë në Podujevë dhe kjo është përparësi e madhe për ne pasi dihet që stadiumi ‘Zahir Pajaziti’, që tani ka një fushë moderne, është vend i pamposhtur dhe do të jetë gjatë”, theksoi Batatina.
I vetmi lojtar që do të mungojë te Llapi është mbrojtësi Benjamin Emini për shkak të kartonit të kuq. Ndërkaq, lajm i mirë është rikthimi i Bujar Idrizit.
Përveç Ballkanit dhe Llapit, në garë për titull të kampionit janë edhe Gjilani që është i dyti me 43 pikë dhe Drita që renditet e treta me 41 pikë.