Sport

Te Kosova të shqetësuar lidhur me ardhjen e lojtarëve

Situata rreth koronavirusit po i brengos edhe përgjegjësit e përfaqësueses së Kosovës në futboll.

Nuk ka mbetur shumë kohë deri te grumbullimi i Kosovës për ndeshjen me Maqedoninë Veriore, që duhet të zhvillohet më 26 mars në Shkup. Tashmë është e qartë se ndeshja do të luhet pa shikues, por së fundi është raportuar se maqedonasit do të kërkojnë shtyrjen e ndeshjes pasi tre lojtarë të tyre që luajnë në Itali, duhet të izolohen për 14 ditë pas arritjes në Shkup. Ky të paktën është një rekomandim i qeverisë së Maqedonisë së Veriut si pjesë e masave ndaj përhapjes së koronavirusit.

Edhe Kosova ka lojtarë në Itali dhe në vende tjera evropiane të prekura nga koronavirusi. Dhe ardhja e lojtarëve nga ato vende po e brengos përfaqësuesen. Në Itali luajnë kapiteni Amir Rrahmani dhe portieri Samir Ujkani. Italia është futur në karantinë të përgjithshme pas përhapjes së madhe të koronavirusit.

“Aktualisht shqetësim kemi për mënyrën e udhëtimit të lojtarëve. Tashmë janë anuluar fluturimet dhe janë bllokuar edhe mënyrat tjera të transportit prej Italisë”, ka thënë menaxheri i përfaqësueses së Kosovës, Bajram Shala për Koha.net.

Ka shumë gjëra të paqarta lidhur me ngjarjet sportive pas krizës së koronavirusit. Ndër të tjera nuk dihet se si do të zhvillohen ndeshjet e Ligës së Kampionëve dhe Ligës së Evropës. Ndërkohë po shtohen zëra për anulim apo shtyrje të ndeshje të përfaqësueseve e po ashtu të Evropianit që duhet të mbahet në verë.