Xherdan Shaqiri ka shënuar gol të shtunën mbrëma në fitoren 3:1 të Chicago Fire nga Inter Miami. Ndeshja i ka takuar kampionatit të SHBA-së në futboll, MLS. Në stinorin debutues në MLS, Shaqiri tashmë është golashënuesi dhe asistuesi më i mirë i Chicagos. Ai ka arritur në shifrën e pesë golave e 11 asistimeve.
Trajneri i Chicagos, Ezra Hendrickson, ka pranuar se skuadra është shumë e varur nga Shaqiri.
“Po, Shaqiri është pjesë e madhe e ekipit tonë. Ai është pjesë e madhe e asaj që bëjmë ne si ekip. Rezultati dëshmon. Kur ai ishte në fushë për 45 minuta apo më pak, ne kemi fituar vetëm një ndeshje gjithë vitin. Kështu që prania e tij në fushë është pjesë e madhe e asaj që bëjmë ne. Ne si ekip kemi dëshirë ta kemi topin në pronësi dhe ai na ndihmon shumë në këtë drejtim. Nëse ia dalim ta mbajmë topin mirë si sonte, me ndihmën e tij bëhet shumë më e lehtë për ne që të luajmë lojën tonë dhe me stilin që e kemi”, ka theksuar Hendrickson.
Shaqiri ka pasur shqetësime fizike dhe jo gjithnjë ka kompletuar ndeshjet. Dhe kjo ka pasur ndikim në rezultatet e Chicagos.
“Shaqiri është pjesë shumë, shumë e madhe e suksesit tonë. Ai ende po sanon një lëndim, por ishte në gjendje të luante 90 minuta. Kështu që ne presim që ai të jetë edhe në të ardhmen një nga liderët tanë, brenda dhe jashtë fushës. Kur ai shënon gola, ky është plus për ne. Por aftësia e tij që të na ndihmojë të mbajmë topin dhe të avancojmë në fushë është shumë, shumë e rëndësishme kur ne duam të luajmë si ekip”, ka shtuar trajneri i Chicagos.
Chicago ende po e kërkon plejofin e MLS-së dhe për këtë fitorja e së shtunës ishte shumë e rëndësishme. Këtë e ka pranuar edhe Shaqiri, reprezentuesi i Zvicrës.
“Ishte fitore e rëndësishme pasi kishim disa ndeshje pa fitore, pa shënuar gol. Ne do të mundohemi t’i fitojmë pesë ndeshjet e ardhshme. Secila ndeshje është si finale pasi duam të shkojmë në plejof. Duhet të fitojmë secilën ndeshjen dhe më pas të shohim në fund çka do të ndodhë. Ishte ndeshje e mirë për ne, fitore e rëndësishme”, ka thënë Shaqiri. Ai pritet të jetë prej lojtarëve kryesorë të Zvicrës në Botërorin në Katar që zhvillohet në nëntor e dhjetor. Kështu që forma e mirë e tij në SHBA është lajm i mirë edhe për përfaqësuesen helvetike.