Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Te Barcelona optimistë për epokën pa Messin

Me gjithë humbjen e lojtarit më të mirë dhe vështirësive financiare, te Barcelona janë të sigurt se do të vazhdojnë me suksese.

Barcelona do të fillojë një edicion pa Lionel Messin për herë të parë në gati dy dekada, por presidenti Joan Laporta tha se motivimi i klubit do të jetë më i madh se kurrë.

“Ne kemi 122 vjet histori, kemi kaluar gjithçka dhe gjithmonë kemi arritur suksese”, tha Laporta të premten, një ditë pasi klubi nga La Liga njoftoi se nuk do të jetë në gjendje ta mbajë Messin për shkak të gjendjes së rëndë financiare.

“Kështu që tani do të jemi më të motivuar se kurrë. Ne duam që epoka pas Messit të jetë shumë e suksesshme dhe mendoj se do të jetë”.

Laporta tha se tashmë ka folur me skuadrën dhe u ka kërkuar lojtarëve që të rriten në mungesë të Messit.

“Ata janë protagonistët që duhet të dalin dhe t'i tregojnë botës se ne mund të fitojmë pa një talent global si Leo në ekip”, tha Laporta. “Unë pashë fytyrat e tyre. Unë u thashë se ata tani duhet të japin diçka më shumë nga vetja. Ata duhet të krijojnë një frymë shumë të fortë ekipore dhe janë kapitenët ata që duhet ta udhëheqin skuadrën duke marrë lojtarët e rinj. Ata janë plotësisht të motivuar dhe mbështesin plotësisht klubin”.

Laporta insistoi se lojtarët e rinj dhe përforcimet e ardhura gjatë verës kanë mundësinë ideale për të dëshmuar vlerën e tyre pa Messin në ekip. Në mesin e përforcimeve për sezonin e ri janë Memphis Depay, Sergio Aguero e Eric Garcia.

Laporta e bëri të qartë se përforcimet nuk kishin ndikim në pamundësinë financiare të klubit për ta mbajtur Messin. Presidenti tha se ai gjithashtu foli me Ronald Koemanin dhe trajneri mbeti optimist me shanset e ekipit pa Messin.

“Koeman është një person i klubit, ai mund të përshtatet shpejt me rrethanat”, tha Laporta. “Sigurisht, nuk do të jetë e lehtë të zëvendësosh një lojtar që shënon më shumë se 30 gola në sezon, por ai është shumë i motivuar”.

Pa Messin kryesorët te Barcelona do të mbeten Gerard Pique, Sergio Busquets dhe Jordi Alba.

Një përgjegjësi më e madhe ka të ngjarë të bjerë mbi 18-vjeçarin Pedri Gonzalez, i cili ka qenë titullar i rregullt sezonin e kaluar. Antoine Griezmann do të mbetet një pjesë e rëndësishme në sulm, tani me Depayn dhe Agueron në krah. Ousmane Dembele dhe i riu Ansu Fati gjithashtu do të vazhdojnë të kontribuojnë.

Barcelona dhe Messi kishin rënë dakord për një kontratë të re, por ajo nuk mund të nënshkruhej për shkak të pengesave financiare dhe strukturore të vendosura nga La Liga.

“Ne donim që kjo epokë e re të fillonte në dy vjet, por për fat të keq nuk arritëm ta realizonim”, tha Laporta.

Presidenti do të duhej të punojë shumë për të zvogëluar borxhin e klubit, i cili kohët e fundit arriti në më shumë se një miliard euro për shkak të pandemisë dhe problemeve me të cilat u përball administrata e mëparshme.

Messi, 34-vjeçar, po largohet pasi udhëhoqi Barcelonën gjatë viteve të saj më të suksesshme. Ai ndihmoi klubin të fitonte 35 trofe, përfshirë Ligën e Kampionëve katër herë, ligën spanjolle dhjetë herë, Kupën e Mbretit shtatë herë dhe Superkupën spanjolle tetë herë.

“Është një moment shumë i trishtuar për ne, por në të njëjtën kohë ne jemi vërtet të motivuar për të filluar këtë epokë të re”, tha Laporta. “Dhe personalisht jam i sigurt se do të jetë një epokë plot shkëlqim për Barcelonën”.

Sipas Laportas, largimi i Messit ishte mënyra e vetme për ta shpëtuar klubin. Ai tha se nëse Messi do të qëndronte në “Camp Nou”, atëherë Barcelona do të shkatërrohej. Madje Laporta insistoi se klubi është mbi të gjithë.

“Mendoj se klubi është mbi të gjithë. Madje është edhe mbi lojtarin më të mirë në botë. Barça është mbi lojtarët, trajnerët e presidentët”, shtoi Laporta. “Leo ka dashur të qëndrojë, kështu që nuk është aspak i lumtur. Në të gjithë donim që ai të qëndronte. Ai tashmë po shikon për opsione tjera dhe ky është realiteti i hidhur”.

Messi ende nuk ka dhënë një deklaratë zyrtare në lidhje me këtë çështje dhe e ardhmja e tij ende nuk dihet. Megjithatë, Paris Saint-Germaini po konsiderohet favorit për ta transferuar Messin, pasi Manchester City është distancuar nga argjentinasi. Këtë e ka konfirmuar edhe trajneri Pep Guardiola.

“Nuk është në mendjen tonë dhe nuk kam biseduar me të”, tha Guardiola kur u pyet për transferimin e mundshëm të Messit te City. “Në fund të fundit, largimi i tij ishte befasi për të gjithë, përfshirë edhe mua. Presidenti Laporta i shpjegoi arsyet e largimit të tij. Unë do të doja që Messi karrierën ta përfundonte te Barcelona, por i dëshiroj suksese në vitet e fundit të karrierës. Është e sigurt se ai nuk do të harrohet kurrë”.

Artikuj të ngjashëm