Futbollistët dhe drejtuesit e kampionit të Kosovës në futboll, Ballkanit, nuk e shohin pengesë mungesën e përvojës në garat ndërkombëtare. Në klubin nga Suhareka synojnë suksese të mëdha në Evropë.
Ballkani do të përballet me ekipin nga Lituania, Zhalgiris Vilnius, në raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve. Shorti është tërhequr të martën në Nyon të Zvicrës.
Ndonëse kundërshtari i Ballkanit ka përvojë prej gati tri dekadash në garat evropiane, te kampioni kosovar i janë gëzuar përballjes me Zhalgirisin. Madje e shohin kundërshtar të kalueshëm.
Drejtori sportiv, Nderim Nexhipi, ka insistuar se asnjë kundërshtar nuk duhet nënvlerësuar.
“Është short i volitshëm, por nuk ka vend për nënvlerësim. Do të kemi dy ndeshje të vështira dhe që nga ky moment stafi teknik do të nisë punën për të studiuar kundërshtarin. Te grupi i kundërshtarëve të mundshëm ishin Malmo dhe Bodo/Glimt, të cilët nuk i donim si kundërshtarë. Po luajmë për herë të parë në garat evropiane dhe do të mundohemi të përgatitemi maksimalisht. Dy ndeshjet do të tregojnë se cili ekip do të kalojë tutje”, ka thënë Nexhipi për KOHËN.
Nexhipi bashkë me kryetarin e klubit, Arsim Kabashi, kanë qenë pjesëmarrës në tërheqje të shortit në Nyon.
Ballkani do të jetë vendës në ndeshjen e parë. Duelet e para të raundit të parë kualifikues do të luhen më 5/6 korrik, kurse ato të kthimit pas një jave.
Ballkani paraqitet për herë të parë në kupa kontinentale.
“Nuk ka shumë peshë, por gjithsesi jam i lumtur që luajmë ndeshjen e parë si vendës. Tashmë nuk ekziston goli si mysafir dhe jam i lumtur që do të luajmë në Kosovë fillimisht. Është kundërshtar që mund të kalohet, por pa u nënvlerësuar, sepse nga të gjitha ekipet e Kosovës ne luajmë për herë të parë në garat evropiane”, ka theksuar Nexhipi.
Ballkani ka bërë disa përforcime, ndërsa me disa lojtarë të tjerë ka vazhduar bashkëpunimin për edicionin e ri. Nexhipi ka paralajmëruar edhe një përforcim në fazën e sulmit.
Ndërkohë, mbrojtësi i krahut, Armend Thaqi, ka thënë se Ballkani nuk do të jetë kundërshtar i lehtë për klubet pjesëmarrëse në gara evropiane.
“Nuk ka ekipe të lehta këtu, sepse të gjitha ekipet janë kampione të vendeve të tyre. As ne nuk do të jemi ekip i lehtë për kundërshtarët, kjo është e sigurt. Kemi ndeshjen e parë si vendës dhe do të përgatitemi maksimalisht për rezultat sa më të mirë për ndeshjen e dytë”, ka thënë Thaqi për KOHËN.
Edhe mbrojtësi i qendrës, Bajram Jashanica, e sheh të kalueshëm Zhalgirisin. Por shton se duhet pasur kujdes.
“Është favorizim pasi luajmë para shikuesve tanë në debutim në garat evropiane. Por kjo nuk do të thotë asgjë pasi janë ndeshje shumë të vështira. Ne do të përgatitemi sa më mirë dhe duam të bëjmë paraqitje sa më të mira. Është kundërshtar i vështirë dhe duhet respektuar. Është ndeshje e vështirë, por nuk do të thotë se nuk mund të kalohet pasi kemi një grup të mirë të lojtarëve dhe me një staf e udhëheqje shumë të mirë”, ka thënë Jashanica.
Zhalgiris Vilnius ka përvojë të gjatë në garat evropiane. Që nga viti 1989 merr pjesë rregullisht në garat kontinentale. Në kualifikimet për Ligën e Kampionëve ka arritur deri në raundin e dytë, ndërsa në Ligën e Evropës është eliminuar në raundin e tretë. Zhalgiris Vilnius është nëntë herë kampion i Lituanisë, ndërsa 13 herë e ka fituar Kupën.