Drejtori sportiv Igli Tare ka treguar pse Lazio vendosi ta blejë sulmuesin e përfaqësueses së Kosovës, Vedat Muriqi.
Ai në një intervistë për “Sky Sports Italia” ka thënë se Muriqi është parë si zëvendësues i sulmuesit nga Ekuadori, Felipe Caicedo.
“Jam i kënaqur me këtë pyetje, kështu që mund të sqarohem njëherë e përgjithmonë. Në fund të sezonit të kaluar Caicedo kishte një marrëveshje me mua dhe presidentin për një ofertë në Katar, kjo është arsyeja pse në nënshkruam Muriqin. Pra, për ta zëvendësuar atë. Pastaj për disa arsye ky propozim nuk u materializaua dhe Caicedo qëndroi në Romë dhe ne jemi shumë të lumtur. Ai nuk bëri asnjë bisedë me mua për të shkuar te Fiorentina”, ka thënë Tare pas ndeshjes që Lazio e fitoi të dielën mbrëma ndaj Napolit 2:0, në kuadër të kampionatit italian.
Muriqi 26-vjeçar te Lazio u transferua në shtator të këtij viti nga Fenerbahçe për 18 milionë dhe ka nënshkruar kontratë deri në qershor të vitit 2025. Në Serie A dhe në Ligën e Kampionëve ka luajtur nëntë ndeshje, ndërsa nuk ka shënuar dhe asistuar në asnjë prej takimeve.