Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Tandemi shqiptar Hasani-Ibraimi ndër më efikasit në Evropë

Shkëndija e Tetovës është bindshëm ekipi më i mirë në Maqedoni këtë edicion. Prin bindshëm në tabelë dhe luan futbollin më atraktiv dhe më efikas. Për këtë të fundit, "gisht" ka tandemi i sulmit.

Ky tandem përbëhet prej Ferhan Hasanit e Besart Ibraimit dhe po tregohet enigmë e vërtetë për kundërshtarët në kampionatin maqedonas. Këta dy futbollistë përbëjnë tandemin e gjashtë më efikas në Evropë, me 33 gola të shënuar këtë edicion. Hasani ka 18 gola, kurse Ibraimi 15, shkruan sot Koha Ditore.

Tandemi Hasani-Ibraimi është prapa tandemëve që vijnë nga ligat e forta të Evropës, si Ligue 1, La Liga e Premier League. Me golat e shënuar këtë edicion, Hasani e Ibraimi qëndrojnë përkrah yjve të futbollit si Lionel Messi, Neymar, Luis Suarez, Edinson Cavani, Sergio Aguero e Mohamed Salah.

"Me 33 gola të shënuara në kampionat, tandemi i Shkëndijës që përbëhet nga Hasani e Ibraimi është ndër më efikasit në Evropë. Ky tandem renditet i gjashti dhe nuk është çudi që është më i merituari për formën fantastike që po tregon ekipi nga Tetova këtë edicion", ka shkruar "Sport.mk" të enjten. (Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).