Wojciech Szczesny mezi pret që të takohet me Lionel Messin në Kupën e Botës. Portieri polak ka treguar se si trajneri i portierëve në skuadër, Claudio Filippi e ka ndihmuar të presë penallti.
32-vjeçari dhuroi dy pritje të jashtëzakonshme në fitoren e Polonisë 2:0 ndaj Arabisë Saudite, të dielën.
Fillimisht ndali Salem Al-Dossarin në penallti dhe më pas priti gjuajtjen e Mohammed Al Buraikut.
“Pritja e dytë ishte shumë më e vështirë dhe vendimtare, edhe pse pritja e një penalltie në Botëror është gjëja më e mirë për një portier”, ka thënë Szczesny të dielën për “Gazzetta Dello Sport”.
Ish-portieri i Arsenalit priti tri penallti të njëpasnjëshme në Serie A sezonin e kaluar, dhe kjo është si rezultat i punës në stërvitje.
“Kemi gjetur një mënyrë për t’i analizuar ekzekutuesit e penalltive dhe po del të jetë e suksesshme. Statistikat në dy vjetët e fundit janë pozitive. Kam pritur më shumë penallti sesa që kam pësuar gola nga 11 metra. Kjo gjë po shkon mirë te Juventusi”, theksoi polaku.
Polonia ka katër pikë në dy ndeshje në Grupin C. Ndeshjen e fundit të fazës grupore e luan kundër Argjentinës të mërkurën.